Maqedoni
Selamni: Jotransparenca, problem serioz. Slamkov: Më së shumti hesht administrata
15.02.2018 17:51
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së bashku me Komisionin për Mbrojtjen e të Drejtave për Qasje të Lirë..

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së bashku me Komisionin për Mbrojtjen e të Drejtave për Qasje të Lirë deri te Informacionet me Karakter Publik do të përpiqen që ta luftojnë jostransparencën e institucioneve të vendit. Qytetarët, bashkë me ta edhe gazetarët, përballen seriozisht me dukurinë e jotransparencës sa që ka institucione që injorojnë kërkesat e tyre, tha kreu i ShGM-së, Naser Selmani, gjatë nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim me kreun e komisionit.
“Mendoj se është një sihariq i mirë që komisioni është i hapur të bashkëpunojë me ne dhe besoj se me përpjeke të përbashkëta do të ngrisim edhe vetëdijen e gazetarëve që të përdorin këtë instrument për të ushtruar trysni ndaj institucioneve, për të marrë informacionet e duhura dhe në anën tjetër të bëjmë trysni të përbashkët që të rrisim transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve”,- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Më së shumti që hesht është administrata, theksoi kreu i Komisionit për Mbrojtjen e të Drejtave për Qasje të Lirë deri te Informacionet me Karakter Publik, Gjorgji Slamkov, për çka tha se kanë propozuar edhe ndryshime në Ligjin që e rregullon këtë problematikë.
“Komisioni ka parashtruar rreth 10 propozime për ligjin, ndërkaq do të cekim dy propozime thelbësore, edhe atë mënyrat se si të tejkalohet problemi me heshtjen e administratës. Heshtja e administratës është problem që ekziston më gjatë kohë dhe shkon në rritje. Propozuam zbatimin e sanksioneve për udhëheqësin, sepse konsiderojmë se për dhënien e informacioneve të caktuara në afatin e parashikuar ligjor varet para së gjithash nga përgjegjësi”,- theksoi drejtori i Komisionit për Mbrojtjen e të Drejtave për Qasje të Lirë deri te Informacionet me Karakter Publik, Gjorgji Slamkov.
Vetëm në vitin 2017, deri te Komisioni janë dorëzuar 758 ankesa. Kjo shifër, sipas kreut të Komisionit, Gjorgji Sllamkov, shënon një rritje krahasuar me vitin paraprak kur janë paraqitur 619 ankesa. Nga të gjitha ankesat e parashtruara në vitin 2017, 75% prej tyre i janë dedikuar administratës, tha Slamkov.
NAIM RAMADANI
