Maqedoni
Negociatat rreth emrit, Stoltenberg: Apeloj për fleksibilitet. “GIMNIH”, mundësi e re për takim Dimitrov - Koxias
15.02.2018 18:02
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, bëri thirrje për fleksibilitet në negociatat për zgjidhjen e kontestit rreth emrit kushtetues të Maqedonisë...

"Në vitin 2008 në Bukuresht vendosëm që ta ftojmë Maqedoninë në NATO, sapo Shkupi të zgjidhë çështjen për emrin me një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët. Deri tani nuk ishte e mundur arritja e zgjidhjes për këtë çështje. Shpresoj se iniciativat aktuale do të sjellin një zgjidhje të tillë. Qeveria e re në Shkup tregon gatishmëri për fleksibilitet. Dëshiroj që të jem shumë i kujdesshëm në periudhën e ardhshme lidhur me atë nëse do të arrihet pajtim, sepse kjo tashmë për vite të tëra është një çështje e hapur. Apeloj për fleksibilitet",- deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, dhe shefi i Diplomacisë greke, Nikos Koxias, ndodhen në Sofje në takimin joformal të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së, që po mbahet në organizim të presidencës bullgare me Bashkimin Evropian.
Ekziston mundësia që, në margjina të kësaj ngjarje, dy ministrat sërish të takohen në Sofje për të vazhduar bisedimet, të nisura në Vjenë, ditën e martë, nën patronatin e ndërmjetësit, Methju Nimic.
Përndryshe, situata në Ballkan Perëndimor, me theks të veçantë procesi eurointegrues i rajonit, si dhe situata në Siri dhe Korenë Verore, do të jenë temat në të cilat do të diskutohet në sesionet e mbledhjes joformale të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian.
SHPËTIM NUREDINI
