Maqedoni
Çmimet në tregje, oferta me çmime normale, blerës ka pak
15.02.2018 18:27
Çmimet në tregje nuk kanë pësuar ndryshime të mëdha, por qytetarët thonë se nuk mund të blejnë çdo gjë që shitet dhe kufizohen vetëm me blerjet e sendeve të domosdoshme....

Të intervistuar nga TVM2, qytetarët në tregun e Bit Pazarit thonë se çmimet janë të larta krahasuar me pagat dhe pensionet, pasi nga financat e kufizuara të një familjeje duhen bërë mirë llogaritë se sa mbeten për ushqim pas pagesave të faturave. Prandaj edhe pse çmimet janë në suaza të normales, ata mendohen mirë para se të blejnë se a do t’u mjaftojnë të hollat deri në fund të muajit.
“Çmimet s’janë shumë të larta, por ne i kemi pensionet e ulëta, rrogat e ulëta, prandaj paratë nuk mjaftojnë”,- u shpreh një blerës.
“Çmimet e perimeve janë më të lira se në Ferizaj”,- tha një blerës nga qyteti i Ferizajt.
“Çmimet janë të realta”,- theksoi një blerës.
Shitësit vazhdojnë të ankohen se blerjet janë pakësuar. Për shkak të viruseve sezonale, më mirë kalojnë ata që shesin fruta. Edhe konkurrenca bën të vetën dhe puna ka rënë ndjeshëm, ankohen shitësit.
“Shitja, sidomos tre muajt e fundit, ka rënë shumë, më së shumti blejnë fruta për shkak të viruseve”,- u shpreh një shitës.
“Nuk ka shitje, s’është arsyeja te çmimi, por tanimë ka shume shitore të hapura, vetëshërbime në çdo cep. Blerësit nuk janë të interesuar, në krahasim para dhjetë viteve dhe tani, jemi shumë dobët”,- theksoi një shitëse.
Tregu në Bit Pazar vazhdon të ketë lëvizje por jo edhe blerje si më parë. Në të më nuk shikon njerëz që mbushin qeset plot, por vetëm nga pak, sa për të pasur diçka në tryezë, madje ka edhe të tillë, që kalojnë vetëm për të parë nëse janë ulur çmimet, por dalin pa blerë asgjë.
SEVDIE KASTRATI OMEROVIÇ
