IN MEMORIAM, u shua funksionari i lartë i BDI-së, Abdilaqim Ademi
Pas një sëmundjeje të rëndë, mbrëmë vonë ndërroi jetë njëri nga themeluesit e BDI-së...

Pas një sëmundjeje të rëndë, mbrëmë vonë ndërroi jetë njëri nga themeluesit e BDI-së si dhe funksionar i lartë i kësaj partie, Abdilaqim Ademi.
Abdilaqim Ademi, si një nga themeluesit e BDI-së, ka mbajtur pozita të rëndësishme partiake dhe shtetërore, ka ushtruar detyrën e zëvendëskryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ministrit të Ambientit Jetësor dhe të ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Abdilaqim Ademi, i lindur më 20 dhjetor 1969, në fshatin Shemshovë të Tetovës, studimet universitare i kishte filluar në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë, drejtimi Metalurgji, në qytetin e minatorëve në Mitrovicë, ku kishte mbaruar dy vite dhe për shkak të masave të dhunshme serbe në Universitetin e Prishtinës, studimet ishte detyruar që t’i vazhdojë në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku ka diplomuar në korrik të vitit 1996. Ai më pas ka mbaruar edhe studimet postdiplomike. Ademi ishte zëvendëskryeministër për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në Qeverinë e Maqedonisë që nga viti 2008, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nga 28 korriku i vitit 2011 deri më 20 qershor të 2014 dhe ministër i Arsimit dhe Shkencës në periudhën prej 20 qershorit të vitit 2014 deri më 16 janar të vitit 2016.
I ndjeri ishte njeriu i cili gjithmonë ka qenë i hapur dhe transparent për mediat, gazetarët dhe opinionin gjatë kryerjes së detyrave të larta partiake e shtetërore. Abdilaqim Ademi do të ngelet në analet e politikës shqiptare të Maqedonisë si një nga figurat politike nga e cila duhet të marrin mësim politikanët e rinj. Ceremonia e varrimit bëhet sot, pas namazit të xhumasë, në varrezat e fshatit Shemshovë.
