Arrihet marrëveshja Kosovë-Mali i Zi për Demarkacionin

16.02.2018 11:39

Presidenti Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Republikës së Malit të Zi....

Presidenti Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit.

Këtë në konferencë për media e bëri të ditur Thaçi.

“Në këtë 10 vjetor të Pavarësisë, Kosova po shënon progres të rëndësishëm që po përshëndetet nga të gjithë. Duke vlerësuar edhe vullnetin e mirë të shtetit të Malit të Zi dhe lidershpit kosovar, në 48 orët e fundit dhe përpjekjet tona për 2 vite e gjysmë unë si President i Kosovës dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq nxorrëm një deklaratë të përbashkët që të inkurajojmë Kuvendin e Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen e Demarkacionit”, tha Thaçi.

Ndryshe, edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka uruar qytetarët e Kosovës për këtë aneks-marrëveshje për Demarkacionin.

“Në këtë jubile të Pavarësisë së Kosovës, jam i lumtur që sot u arrit aneks-marrëveshja për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen.

"Deklarata e përbashkët e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, në formën e aneks-marrëveshjes si instrument ligjor obligativ ndërkombëtar, i jep epilog një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë. Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kjo deklaratë e dy presidentëve erdhi pas vizitës dyditëshe në Kosovë të kryeministrit malazez, Dushko Markoviq.