ShBA: OKB të marrë masa kundër Iranit

16.02.2018 12:59

Ambasadorja amerikane e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley, ka thënë se “është koha që Këshilli i Sigurimit të veprojë”....

Ambasadorja amerikane e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley, ka thënë se “është koha që Këshilli i Sigurimit të veprojë”, pas prezantimit të raportit të OKB-së, në të cilin thuhet se Irani ka shkelur ndalimin e organizatës për armatosjen e rebelëve huthi në Jemen.

“Raporti thekson atë çfarë e kemi thënë për muaj, se Irani ka transferuar armë në mënyrë të paligjshme duke shkelur disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit”,- ka thënë Haley më 15 shkurt.

Raporti i panelit të ekspertëve të OKB-së në muajin e kaluar ka thënë se raketat balistike iraniane dhe armë të tjera janë gjetur në Jemen. Më 2015, me anë të një rezolute, kjo organizatë i ka ndaluar Iranit armatosjen e rebelëve huthi në Jemen. Në raport thuhet se Irani ka dështuar në marrjen e masave të duhura për të parandaluar dërgimin e armëve te rebelët. Ekspertët kanë ardhur në përfundim se Irani ka shkelur ndalimin për armët.

Irani e ka të ndaluar transferimin e armëve përveç nëse Këshilli i Sigurimit e miraton një gjë të tillë.

Irani kundërshton furnizimin me armë për rebelët, pavarësisht që përkrah hapur rebelët shiitë në luftën civile kundër qeverisë së Jemenit, e cila përkrahet nga Arabia Saudite.