Maqedoni
Villton park, Xhaferi pjesëmarrës në konferencën “Ndërtimi i parlamentit transparent dhe efikas”
16.02.2018 16:16
“Ndërtimi i parlamentit transparent dhe efikas” është tema e konferencës që po mbahet në Villton Park të Anglisë...

“Ndërtimi i parlamentit transparent dhe efikas” është tema e konferencës që po mbahet në Villton Park të Anglisë, në të cilën marrin pjesë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare të partive politike të Maqedonisë. Qëllimi i diskutimit është që deputetët e partive të ndryshme politike në Maqedoni të diskutojnë për tema në kontekst të ndërtimit të parlamentit më të hapur për qytetarët dhe më dobiprurës. Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, tha se takimet e këtilla do të shërbejnë për të përmirësuar marrëdhëniet e rënduara të deputetëve të partive politike të vendit.
“Për faktin që vendi ka qenë në një krizë politike për një kohë të gjatë, ka krijuar marrëdhënie të ndërlikuara mes partive politike, në veçanti mes përfaqësuesve të tyre në parlament dhe mendonim që një dalje jashtë vendit në këtë formë do të jetë pikënisja për ndërtimin e sistemit të qëndrueshëm funksional të parlamentit dhe të mos ketë situata të ardhshme të cilat do të mund të përsëriteshin përsëri ndodhitë në parlament”,- deklaroi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.
Këto panel-diskutime gjithmonë janë në dobi të forcimit të shtetit demokratik dhe e drejtë e Maqedonisë, deklaroi ambasadori i Britanisë në Maqedoni, Çarlls Garet.
“Kemi punuar fuqishëm në Maqedoni për ta forcuar demokracinë dhe sistemin juridik dhe kjo është një shembull i fundit për këtë. Ne besojmë që do të vazhdojmë të mbetemi partner për të pasur një të ardhme më të mirë”,- tha ambasadori i Britanisë në Maqedoni, Çarls Garet.
Konferenca realizohet nga ana e Ambasadës së Britanisë së Madhe dhe Fondacionit për demokraci “Vestminster”.
ERSAN PAJAZITI
