Deklaratë e presidentëve për demarkacionin, PDK, AAK dhe LDK për, Vetëvendosje kundër

16.02.2018 16:35

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq....

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët me të cilën ftohen organet kompetente që të përmbyllin ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sqaroi se pas ratifikimit do të formohet një trup i përbashkët punues për shënimin e vijës kufitare, ku do të mund të korrigjohen edhe lëshimet eventuale.

“Në këtë deklaratë të përbashkët gjendet edhe vullneti i shprehur në gusht 2015, edhe mundësia e korrigjimit, shqyrtimit të çështjeve që janë ngritur më herët nga subjekte politike dhe segmente të ndryshme të shoqërisë kosovare. Kjo realisht është ajo që i është dashur këtij realiteti politik dhe institucional dhe mendoj se tash me ratifikimin e demarkacionit do të ndodh liberalizimi i vizave dhe qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm. Kjo do të jetë dhurata më e çmuar për qytetarët e Kosovës me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Deklarata u mbështet nga PDK, por edhe nga AAK e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe LDK-ja opozitare. Sekretar i AAK-së, Blerim Kuqi, tha se marrëveshja obligon të dyja shtetet për të korrigjuar sidomos dy çështje që kanë qenë problem në marrëveshjen e vitit 2015 për kullën e Zhlepit dhe Çakorrit.                                                                                      

“Marrëveshja shpreh vullnetin politik dhe merr obligime shtetërore për të shikuar dhe korrigjua sidomos dy çështje që kanë qenë problem në marrëveshjen e vitit 2015, ajo për kullën e Zhlep dhe Çakorr”,- tha Blerim Kuçi nga AAK.                                                                                                                   

Por, nga LDK-ja thonë se deklarata mes dy presidentëve po keqpërdoret nga qeveria Haradinaj. Sipas LDKK-së, Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë nënshkruar marrëveshje për të korrigjuar kufij, por nëpërmjet një deklarate të përbashkët e kanë konfirmuar Marrëveshjen e vitit 2015, e cila kërkohet të ratifikohet ashtu si është nënshkruar dhe ashtu si e ka ratifikuar Mali i Zi.                                                                                                    

“Nuk kemi asgjë të re përveç marrëveshjes që është nënshkruar në vitin 2015”,- theksoi Abdulla Hoti nga LDK.                             

Për Lëvizjen Vetëvendosje deklarata e Thaçit me homologun e tij malazez është e papranueshme.                                                                                                        

“Për lëvizjen Vetëvendosje kjo deklaratë e Thaçit dhe homologut të tij malazez është e papranueshme sepse është e padrejtë dhe mashtruese”,- u shpreh Albin Kurti nga VV.                                                               

Deklarata është arritur në koordinim mes dy presidentëve, ndërsa asaj i ka kontribuar edhe vizita e kryeministrit malazez në Prishtinë, bëri të ditur presidenti i Kosovës, Thaçi. (Gyltene Sinani, TVM2)