Maqedoni
Rasti “Tank”, Gruevski, Jankulovska dhe Popovski nuk ndjehen fajtorë
16.02.2018 17:00
Nikolla Gruevski, Gordana Jankullovska dhe Gjoko Popovski para trupit gjykues kanë deklaruar se nuk ndjehen fajtorë për blerjen e Mercedesit luksoz prej 600 mijë eurosh...

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit special me të cilën thuhet se Gruevski ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe ndikimin e tij për të porositur Mercedes luksoz, i akuzuari Gruevski pa iu dhënë fjalë tha se kjo është gjykatë e partizuar dhe se ky proces po vazhdohet me dhunë dhe pa të drejta të barabarta, për çka iu tërhoq vërejtja nga trupi gjykues.
Nga PPS theksuan se posedojnë dëshmi të mjaftueshme për të vërtetuar se të akuzuarit janë fajtorë për veprën për të cilën ngarkohen, duke theksuar se këtë do ta bëjnë përmes materialeve të përgjuara dhe dëshmive të tjera. Gruevski theksoi se nuk e kupton aktakuzën, siç thotë, pasi që ai nuk e ka të qartë pse dikush duhet të jetë fajtor pse dëshiron të vozisë Mercedes dhe, sipas tij, një veturë të tillë duhet të ketë çdo shtet.
“Gjykata ka vazhduar me stilin e njëjtë sikurse edhe deri më tani, gjegjësisht po ushtrohet presion ndaj nesh, ndërsa në mënyrë bashkëpunuese sillet me PPS-në. Edhe kur protestova të më jepet fjala, sepse ajo paraprakisht iu mundësua disa herë PPS-së, gjykatësja mu kërcënua se do të më dënojë. Kam ndjenjën se në këtë rast LSDM po më akuzon, LSDM po më gjykon. Gjykata për PPS-në është nënë, për ne njerkë. Me orarin e ri të Gjykatës u krijua Gjykatë Speciale që na gjykon me dhunë”,- u shpreh i akuzuari, Nikolla Gruevski.
Paraprakisht trupi gjykues nuk pranoi një sërë kërkesash dhe parashtresash nga pala mbrojtëse dhe nga të akuzuarit. Në rastin “Tank”, të akuzuar janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe ish-ndihmësministri i MPB-së, Gjoko Popovski.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
