Maqedoni

KSL ultimatum Qeverisë: Plotësim të kërkesave ose protesta në rrugë

16.02.2018 17:28

Konfederata e Sindikatave të Lira dalëngadalë po e humb durimin...

Kryetari i saj, Bllagoja Ralpovski, i dha ultimatum Qeverisë që deri më 15 mars ajo të prononcohet në lidhje me kërkesat e deponuara të kësaj sindikate për rritjen dhe harmonizimin e pagave të tjera në sektorin publik me pagën minimale, për dhënien e pagës K-15, për respektimin e marrëveshjeve kolektive dhe në ndërkohë ata kërkojnë takim urgjent me kryeministrin Zaev, përndryshe paralajmërojnë protesta radikale në vend. 
 
“U bëjmë thirrje qeverisë në krye me kryeministrin, Zoran Zaev, që të na ftojë ne për të biseduar në lidhje me kërkesat legjitime të Konfederatës së sindikatave të lira dhe më së voni deri më 15 mars të merret vendim për të njëjtat, përndryshe do të ndërmarrim masa  radikale sindikale për t’i fituar të drejtat tona”,- tha kryetari i KSL-së, Bllagoja Ralpovski.
 
Konfederata e Sindikatave të Lira gjithashtu u bëri thirrje që të ndalen presionet e ndryshme ndaj administratorëve dhe sindikalistëve dhe kërkuan reformat e administratës të realizohen në bashkëpunim të ngushtë me sindikatave reprezentative.
 
Përndryshe, KSL thuajse 2 muaj me radhë kërkon gjetjen e zgjidhjes së përbashkët të kësaj çështje me përfaqësuesit e qeverisë, ata organizuan edhe protesta në kryeqytet, mirëpo deri tani asnjë vendim nuk është marrë për këto kërkesa.
 
REXHEP QAMILI