Maqedoni
BERZh mbështet qeverinë me 500 mijë euro, stimulohet energjia diellore dhe ajo e erës
16.02.2018 17:44
Me gjysmë milion euro, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do ta mbështesë Qeverinë...

Me gjysmë milion euro, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do ta mbështesë Qeverinë që të zhvillojë bazë ligjore dhe administrative për rritjen e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe shfrytëzimin e tyre në Maqedoni, kryesisht në fushën e impianteve diellore dhe të erës me qëllim që të zvogëlohet importi i energjisë elektrike dhe qymyrgurit.
“Bëhet fjalë për një strategji të plotë për rritjen e fuqisë së energjisë diellore në Maqedoni, e cila tani është vetëm 16.8 megavat, e që është për të ardhur keq për një vend me diell të bollshëm. Me ndihmën teknike të BERZh-it, qeveria në periudhën e ardhshme do të angazhohet për krijimin e centraleve solare me fuqi prej 200 megavatësh, ndërkaq do të zhvillojë një strategji që nuk do të ndikojë në çmimin e energjisë për konsumatorët”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Koço Angjushev.
Me këto mjete do të ndihmohet zbatimi i një sistem ankandi, thonë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Mbështetja teknike do të fokusohet në përgatitjen e legjislaturës sekondare dhe rregullat e rregullatorit që janë të patjetërsueshme për të zbatuar një proces tenderues kompetitiv në përputhje me ligjin e ri për energjetikë. Konsulenti do të sigurojë mbështetje për qeverinë që të përgatitet procesi tenderues për energjinë diellore dhe të erës”,- tha drejtori i BERZh për EQJL, Sharllot Rue.
Qeveria pret që BERZh t’i financojë projektet e ELEM-it për ndërtimin e centraleve me energji diellore me kapacitet prej 10 megavatësh tek miniera e Osllomesë si dhe zgjerimin e parkut për energji nga era në Bogdanci.
NAIM RAMADANI
