Maqedoni

Han dhe Mogerini: Zgjidhje për emrin gjatë kryesimit bullgar me BE-në

16.02.2018 17:51

Shkupi dhe Athina do ta tejkalojnë kontestin me emrin deri në qershor, ka vlerësuar eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn, nga Sofja...

Shkupi dhe Athina do ta tejkalojnë kontestin me emrin deri në qershor, ka vlerësuar eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn, nga Sofja, në margjina të takimit dyditor të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të BE-së me diplomatët e vendeve aspirante. 
 
“Tash është muaji shkurt dhe ka akoma kohë deri në qershor. Herët është të themi diçka. Por, jam i bindur se deri në fund të presidencës bullgare do të zgjidhet kontesti”,- deklaroi eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn.
 
Edhe përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, duke iu ofruar përkrahje palëve, ka shfaqur shpresë për rezultat pozitiv që do të arrihej së shpejti. Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, ka ritheksuar se qeveria është e gatshme t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë për tejkalimin e kontestit duke u shprehur optimist edhe për fillimin e bisedimeve për integrimin në BE. 
 
“Bëjmë gjithçka që mundemi që në qershor të ketë vendim politik dhe bëjmë gjithçka që mundemi ta bindim Greqinë të jetë pjesë e atij konsensusi për Maqedoninë. Kjo do të jetë punë e mirë për Maqedoninë, Bullgarinë, për Ballkanin dhe për Evropën”,- u shpreh ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov.
 
Ndërkohë, shefi i Diplomacisë greke, Nikos Kocijas, në një intervistë për televizionin grek Alfa ka shpalosur planin 7 pikësh, prej 20 faqesh, për zgjidhjen e kontestit dhe të njëjtin pritet ta sjellë gjatë këtij muaji në Maqedoni. Kocijas në këtë intervistë konfirmoi se po debatohet edhe për identitetin dhe ndryshimet kushtetuese. 
 
“Ka emër dhe ai përdoret, por vijnë edhe shtesa, identiteti, uniteti, gjuha... Miqtë e mi në Shkup besojnë se nuk ka nevojë për ndryshim të Kushtetutës. Atë nuk mund ta bëjnë tani, nuk kanë shumicë. Gjithsesi, ne besojmë se në mënyrë që marrëveshja të sjellë stabilitet afatgjatë dhe konsolidim me këtë vend, janë të nevojshme ndryshime kushtetuese, në të kundërtën lihet hapësirë për konflikte në të ardhmen”,- theksoi ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Kocijas.
 
Duke sqaruar preferencat e ndryshme të palëve rreth propozimeve, Kocijas tha se pranon emër të papërkthyeshëm në gjuhën sllave me përcaktues gjeografik, si: Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Re, ose Maqedonia-Vardar.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU