Maqedoni
Vizita e presidentit bullgar, Rumen Radev. Radev: Përcaktimi gjeografik i emrit mos të jetë bullgar
16.02.2018 17:54
Bullgaria mbështet procesin e bisedimeve mes Shkupit dhe Athinës për të gjetur zgjidhje për kontestin rreth emrit, ashtu siç Shkupi dhe Sofja...

Bullgaria mbështet procesin e bisedimeve mes Shkupit dhe Athinës për të gjetur zgjidhje për kontestin rreth emrit, ashtu siç Shkupi dhe Sofja, me ratifikimin e Marrëveshjes për miqësi, që dëshmuan se dy vende sovrane mund të gjejnë zgjidhje për konteste dypalëshe. Në këtë drejtim, presidenti bullgar, Rumen Radev, ripërsëriti qëndrimin e Sofjes pro zgjidhjes së kontesteve në rajon, por theksoi se emri i ri nuk duhet të përmbajë përcaktim gjeografik që është pjesë e territorit të Bullgarisë.
“Zgjidhja e emrit të Republikës së Maqedonisë do të ndodh përmes bisedimeve të drejtpërdrejta dhe intensive, siç po ndodhin mes dy shteteve sovrane, RM-së dhe Republikës së Greqisë. Por, kuptohet se ato bisedime na interesojnë edhe ne, palën bullgare. Ne e kemi shprehur qartë pozicionin tonë. Për ne është me rëndësi që emri i ri të mos përmbajë përcaktim gjeografik që është pjesë e territorit të Republikës së Bullgarisë. Besoj se do të gjendet zgjidhje e arsyeshme që do të jetë e pranueshme për të gjitha palët. Dua të përmend diçka të rëndësishme, ne shohim me seriozitet të posaçëm marrëdhëniet mes dy vendeve tona”,- theksoi kryetari i Bullgarisë, Rumen Radev.
Ndërkaq, presidenti Ivanov, duke iu referuar qëndrimit grek për rishikimin e kushtetutës dhe mënjanimin e dispozitave të mundshme që nxisin irredentizëm, tha se marrëveshja me Bullgarinë mënjanon këtë dyshim.
“Marrëveshja me vend, anëtare e BE-së dhe NATO-s, është dëshmia më e fuqishme se në kushtetutën tonë nuk ka dispozita për irredentizëm dhe pretendime territoriale. Duam që marrëdhëniet tona të jenë shembull për marrëdhënie mes vendeve të Ballkanit me qëllim që të thellohen marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore”,- u shpreh kryetari i RM-së, Gjorge Ivanov.
Njëkohësisht, presidenti bullgar, i cili ka ardhur në Maqedoni me ftesë të Ivanovit, deklaroi se Bullgaria është një ndër avokatët më të mëdhenj të Maqedonisë në lidhje me proceset euro-integruese.
Në vizitën e parë, në Shkup, pas nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe dhe pas marrjes së kryesimit me BE-në, Rumen Radev, tha se Bullgaria dhe Maqedonia kanë të kaluar të përbashkët dhe se sëbashku mund t’i zgjidhin problemet për ardhmëri së përbashkët.
SHPËTIM NUREDINI
