Maqedoni

UShT shënon 23 vjetorin e ligjëratave të para, përkujtohet historiku i themelimit të UShT-së

16.02.2018 18:06

23 vjetori i ligjëratave të para të Universitetit të Tetovës u shënua sot me akademi solemne dhe nderime në varret e dëshmorëve të arsimit....

Me këtë rast nderime iu bënë rektorit të parë, iniciatorit për themelimin e UShT-së, Fadil Sulejmanit. Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Fatmir Sulejmani, rikujton se gjeneratat e reja sot gëzojnë frytet e punës së themeluesit të UT-së, rektorit të parë, Fadil Sulejmanit.
 
“Profesor Fadili është ai që ka ngritur nismën për themelimin e UT-së edhe përkundër represioneve të ndryshme që i ka shënuar historia jonë e re, andaj ne sot gëzojmë frytet e stafit të asaj kohe”,- u shpreh dekani i Fakultetit të Filologjisë, Fatmir Sulejmani.
 
Qendra kryesore e zhvillimit të shqiptarëve është dhe do jetë  UShT, vlerëson profesori i universitetit, Ejup Ajdini.
 
“Nuk do të ketë forcë më që do të bëjë ndryshimin e identitetit tonë kombëtar për arsye se UT mbetet qendra kryesore e zhvillimit kulturor, historik dhe shkencor”,- theksoi profesori i universitetit, Ejup Ajdimi.
 
Ndërkohë, rektori i UShT-së, Vullnet Ameti, rikujtoi historikun e Universitetit të Tetovës dhe guximin e rektorit të parë, Fadil Sulejmanit, i cili shkroi historinë e ndritur të Universitetit të Tetovës.
 
“Më 17 shkurt 1995 fitoi guximi i kombit tonë, vendosmëria e studentëve të gjeneratës së artë, urtësia dhe vizioni i profesorëve dhe rektorit, Fadil Sulejmanit”,- tha rektori i UShT-së, Vullnet Ameti.
 
Me këtë rast, UShT i ndau mirënjohje kikboksierit, Ismail Keta, dhe u theksua se UShT ofron studime cilësore dhe bashkëkohore në sferën e arsimit sipëror.
 
FLUTURA LATIFI