Botë
Shqipëri, përplasje mes partive për vetingun e Llallës
16.02.2018 19:01
Ish-kryeprokurori, Adriatik Llalla, të cilit Departamenti amerikan i Shtetit ia ndaloi hyrjen në ShBA, ka shkaktuar zhurmë në politikën shqiptare....

Përplasjet vijnë në një kohë kur Llalla u ka kërkuar institucioneve të drejtësisë ndërprerjen e vetingut për të. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni, dhe deputetët e mazhorancës i cilësojnë dorëheqjet e ish-zyrtarëve si rezultate të pastra të reformës në drejtësi.
“Për sa u takon rezultateve të reformës në drejtësi, rezultatet e para i kemi dhe janë pikërisht dorëheqjet e fundit që janë bërë nga anëtarë gjykatash, ish-prokurorë të përgjithshëm, të cilët ishin në listën prioritare për t’u vetuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Rezultatet e para kanë ardhur, të jemi të duruar”,- deklaroi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni.
“Protestuat për të mbajtur në detyrë një kryeprokuror i cili tashmë është shpallur “non grata” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Procesi i reformës në drejtësi dhe vettingu kanë filluar të japin rezultatet e para dhe nuk ka gjë më të rëndësishme se kjo në procesin e integrimit të Shqipërisë. Po vetëlargohen nga sistemi gjyqtarë e prokurorë të cilët nuk duan të kalojnë përmes vettingut”,- tha deputetja e PS-së, Elisa Spiropali.
Por, opozita thotë se nuk është sistem drejtësie largimi i disa frikacakëve.
“Po planifikojmë një sistem drejtësie i cili nuk ka rezultat kur disa njerëz largohen nga frika. Besoj që kjo duhet të jetë edhe deviza juaj. Nuk është çështja që të krijojmë një sistem që disa njerëz të largohen nga frika dhe të themi që kemi ngritur një sistem drejtësie”,- u shpreh deputetja e PD-së, Grida Duma.
Sipas Ligjit të vetingut, ata gjyqtarë dhe prokurorë që dorëhiqen nga detyra, nuk kontrollohen më nga institucionet e vetingut. Dhe duket se është pikërisht ky qëllimi i dorëheqjeve të tyre, që t’i shpëtojnë drejtësisë për shkeljet që i kanë bërë.
LULJETA NDOKA
