Botë

Guterres: Bota kërcënohet nga konfrontimi bërthamor

16.02.2018 19:44

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se bota për herë të parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë përballet me "kërcënimin e konfrontimit bërthamor". "Për herë të parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, ne përballemi me kërcënim bërthamor, kërcënim nga konflikti bërthamor",- tha Guterres. "Po i referohem zhvillimit të armëve bërthamore dhe raketave me rreze të gjatë veprimi nga Republika Demokratike Popullore e Koresë. Ato janë në kundërshtim të plotë me vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare dhe shkelje e qartë e disa rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara",- tha Guterres. 
 
Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë "presion maksimal" mbi Korenë e Veriut për të hequr dorë nga programi me armë bërthamore. Guterres dhe Stoltenberg i bënë komentet në Konferencën e Sigurisë në Mynih, që është një tubim vjetor i udhëheqësve botërorë dhe zyrtarëve të lartë.