Botë

Kosova feston 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë

17.02.2018 12:28

Kosova sot feston jubileun e parë të pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2018...

Kosova sot feston jubileun e parë të pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2018, pas arritjes së lirisë në 12 qershor 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s e të vendoset Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara.

Pas luftës me më se 12 mijë të vrarë, 6 mijë të zhdukur e afër një milionë shqiptarë të dëbuar nga forcat serbe në fushatën e egër të spastrimit etnik, gjatë së cilës ua kishin vënë flakën më se 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive qytetarët e Kosovës kremtojnë sot 10 vjetorin e Pavarësisë.

17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.

Njohjet e para Kosovës iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika. Kosova në prag të ditës së 10 vjetorit të pavarësisë mori edhe njohjen e 116-të nga shtetet anëtare të OKB-së, nga Barbadosi.

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.

Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror.

Gjatë 10 viteve, Republika e Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.