Meksikë tërmet me magnitudë 7.2 ballë
Një tërmet me magnitudë 7.2 ballë ka goditur Meksikën jugperëndimore, duke bërë që ndërtesat të shkunden në kryeqytetin Meksiko City...

Një tërmet me magnitudë 7.2 ballë ka goditur Meksikën jugperëndimore, duke bërë që ndërtesat të shkunden në kryeqytetin Meksiko City, rreth 350 km larg.
Epiqendra e dridhjeve të fuqishme ishte afër Pinotepa de Don Luis në shtetin Oaxaca, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA. Tërmeti e kishte epiqendrën rreth 24.6 km nën tokë.
Disa ndërtesa u dëmtuan në Oaxaca, por nuk u raportuan jetë të humbura. Një helikopter që mbante ministrin e brendshëm dhe guvernatorin e Oaxacas u rrëzua, duke vrarë dy vetë.
Ministri i Brendshëm Alfonso Navarrete dhe Guvernatori Alejandro Murat nuk u plagosën rëndë, thanë zyrtarët. Ata po vëzhgonin dëmin e shkaktuar nga tërmeti.
Qendra paralajmëruese e cunamit të Paqësorit tha se nuk kishte kërcënim për cunami. Pas dridhjeve, mijëra njerëz u lënduan teksa nxitonin të iknin nga ndërtesat në Mexico City, ndërsa toka dridhej.
Disa po qanin, ndërsa të tjerë përqafonin njëri-tjetrin në rrugët e kryeqytetit. Trafiku u ndal për disa minuta. Autoritetet aktivizuan sistemet e alarmit të tërmeteve në katër shtete, përfshirë Mexico City.
Ata u kërkuan banorëve të qëndrojnë jashtë. Meksika është një nga rajonet më sizmikisht aktive në botë, duke qëndruar në krye të tre prej pllakave më të mëdha tektonike të Tokës – pllaka e Amerikës së Veriut, Cokos dhe Paqësorit.
