Botë
Edith Harxhi për pavarësinë e Kosovës
17.02.2018 14:55
Pavarësia e Kosovës, shihet nga ekspertja për çështjet e rajonit Edith Harxhi...

Pavarësia e Kosovës, shihet nga ekspertja për çështjet e rajonit Edith Harxhi, si fitorja më e madhe për shqiptarët, që nga viti 1912 kur u shpall pavarësia.
Ish-zvministrja e punëve të jashtme të Shqipërisë, thotë se tashmë sfida e radhës për Kosovën është anëtarësimi me të drejta të plota në OKB.
Në këndvështrimin e Harxhit, Kosova ka përparuar shumë në këto 10 vite, ndërsa Serbia po përpëlitet pasi është thjesht çështje kohe deri sa ta njohë atë.
“Eshtë një fitore shumë e madhe e shqiptarëve, ndoshta më e madhja që prej vitit 1912. Sepse është shteti i dytë shqiptar që është afirmuar sot në botë. Unë pres me padurim ditën kur Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota në OKB, dhe do të ketë ulësen e saj në OKB. Për ne është fat i madh që patëm në krahun tonë fuqitë më të madha, SHBA në NATO në përgjithësi dhe në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Si shtet ka avancuar shumë. Unë kur mbaj mend ditën që kam hyrë në Kosovë, menjëherë pas luftës ka qenë krejtësisht e rrënuar, dhe akoma mbahej provincë dhe sot jemi në kushtet kur 113 shtete e kanë njohur pavarësisnë e Kosovës dhe kur Serbia akoma përpëlitet në mënyrën e saj”, shprehet ekspertja për çështjet e rajonit Edith Harxhi.
Sa i përket zvarritjes së demarkacionit me Malin e Zi deri para dy ditësh, Harxhi shprehet se kjo çështje është përdorur për flirte politike nga partitë.
“Marrëveshja e kufirit që u bë me Maqedoninë u bë në kohë, ishte shumë e mirë, u bë në afat perfekt dhe modalitete shumë të mira dhe kaloi nga të dyja palët pa asnjë lloj problemi. pavarësisht se edhe aty mund të kishte pasur probleme pasi këtu flitet për shqiptarë etnikë që jetojnë në të dy anët e kufirit si në Maqedoni ashtu edhe nmë anën e Kosovës, si në anën e Malit të Zi, ashtu edhe në anën e Kosovës. Por në rastin e Malit të Zi siç duket është mbajtur pak edhe për flirtime politike të partive politike shqiptare”, shprehet ekspertja për çështjet e rajonit Edith Harxhi.
Edith Harxhi e ka edhe një thirrje për autoritetet e Kosovës që të mos bëjnë hapa prapa, pasi aleatët dhe mbarë shqiptarët kërkojnë vetëm avancimin e shqiptarëve të Kosovës.
"Të mos luftohet në asnjë mënyrë për të dalë në kundërshtim me vetveten sepse për aq kohë sa parlamenti i Kosovës arriti të mendojë atë ligj për kalimin e Gjykatës Speciale dhe të miratojë edhe amendime të kushtetutës me Gjykatën Speciale, të kryejë edhe marrëveshje me Holandën përsa i përket gjykatës, unë mendoj se është hap prapa nëse në kthehemi sot dhe themi "Jo, unë gabova atëherë, më imponuan". Asnjë gjë sot për Kosovën nuk është imponim, është vetëm avancim. Sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë vetëm avancimin e saj, Shqipëria kërkon vetëm avancimin e Kosovës dhe nuk do të kërkonin asnjëherë asnjëlloj imponimi nga askush”, shprehet ekspertja për çështjet e rajonit Edith Harxhi.
LULJETA NDOKA
