Botë

10 vjetori i pavarësisë së Kosovës: Urojnë liderët e rajonit dhe botës

17.02.2018 19:07

10 vjetorin e pavarësis së Kosoves e kanë uruar edhe liderët e rajonit dhe botës...

Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi homologut të tij, Hashim Thaçi.

Ndër të tjera në mesazhin e Presidentit Meta shkruhet: “Jam i entuziazmuar që marrëdhëniet tona vëllazërore dhe ndërshtetërore janë në nivelet më të larta të bashkëpunimit, dhe janë konsoliduar në shtratin e integrimeve europiane dhe euro-atlantike, përkrah partnerëve tanë strategjikë.

Ju siguroj se, unë si President i Republikës, por edhe të gjitha institucionet e Shqipërisë do të jemi gjithmonë mbështetës e përkrah në ndërmarrjet tuaja të guximshme që fuqizojnë institucionet, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, që konsolidojnë harmoninë e bashkëjetesës gjithëpërfshirëse dhe që thellojnë bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës me miqtë dhe organizatat shumëpalëshe”.

Edhe Ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton përmes një videomesazhi e ka uruar Kosovën dhe popullin e saj në 10-vjetorin e pavarësisë. Në videon e publikuar në Facebook, titullin e ka vendosur në shqip “Urime për popullin e Kosovës në përvjetorin e 10-të të pavarësisë së tyre”.

Presidenti më i dashur për shqiptarët, Bill Clinton 19 vite më parë urdhëroi bombardimin e forcave të Serbisë të udhëhequra nga diktatori Sllobodan Milloshqviçi.

Clinton duke ua uruar 10-vjetorin e pavarësisë të gjithë qytetarëve të Kosovës, thotë se Kosovën e ka në zemër, ndërsa ka uruar që Kosova të zhvillohet dhe të arrijë atë që meriton.