Rosberg vazhdon bashkëpunimin me Mercedesin
Piloti gjerman u bashkua me Shigjetat e Argjendta në rikthimin e tyre në Formula 1, 4 vjet më parë dhe që atëherë ka regjistruar 6 fitore dhe 17 vende në podium…..

Në kulmin e zërave se mund të largohej në fund të sezonit, ndërkohë që rivaliteti me Hamiltonin po bëhet edhe më i ashpër, Rosberg ka hedhur firmën në kontratën e re shumë vjeçare me Mercedesin.
Piloti gjerman u bashkua me Shigjetat e Argjendta në rikthimin e tyre në Formula 1, 4 vjet më parë dhe që atëherë ka regjistruar 6 fitore dhe 17 vende në podium.
Duke konfirmuar zgjatjen e bashkëpunimit me Mercedesin, djali i ish kampionit Keke Rosberg, deklaroi se ndihet mjaft i lumtur që garon për këtë skuadër dhe si gjerman, është krenar që përfaqëson markën e makinës më të mirë në botë.
Nga ana tjetër, njëri prej dyshes drejtuese te Mercedes, Toto Ëolff tha se të gjithë në skuadër janë të kënaqur për firmën e 29-vjeçarit në kontratën e re, duke theksuar se Rosberg ka treguar me vendosmëri se është një pilot i klasit botëror.
Në njoftimin zyrtar të Mercedesit nuk jepet asnjë shifër konkrete, por prestigjiozja “Bild” ka hedhur dritë mbi detajet e këtij bashkëpunimi afatgjatë. Sipas të përditshmes gjermane, lidhja mes Nico Rosberg dhe Mercedesit do të vazhdojë edhe për tre vite të tjera, me një akord që kap shifrën e 55 milionë eurove në total.
“Bild” pretendon madje se rinovimi është finalizuar pak ditë më parë, por Mercedes mesa duket ka preferuar të presë para se të japë lajmin.
