Strategjia për reforma në gjyqësor, Preshova: Reformat, projekt i përbashkët me BE-në
Reformat e parashikuara në gjyqësi për periudhën 2017-2022 nuk i detektojnë me saktësi problemet....

Reformat e parashikuara në gjyqësi për periudhën 2017-2022 nuk i detektojnë me saktësi problemet dhe nuk japin një vizion të qartë se në cilin drejtim duhet të lëvizin në pesë vitet e ardhshme me qëllim që të arrihen rezultate thelbësore. Kështu thuhet në punimin me temë "Reformat e gjyqësorit në Republikën e Maqedonisë: Ndryshime pa reforma", që e prezantoi autori, Denis Preshova.
Sipas tij, reformat në gjyqësor duhet trajtuar si projekt i përbashkët me BE-në.
“Procesi i reformave në gjyqësor nën ombrellën apo nga rekomandimet e Komisionit Evropian patjetër duhet të trajtohet si projekt i përbashkët dhe për këtë qëllim shteti duhet patjetër ta manifestojë kapacitetin e tij, kuptohet nëse e ka, në drejtim të krijimit të kushteve dhe rrethanave për zbatimin adekuat të reformave në gjyqësor”,- tha autori i punimit, Denis Preshova.
Ndërkaq, ish-gjykatësja në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, Mirjana Llazarovska-Trajkovska, sqaroi se punimi porosit që Këshilli Gjyqësor të jetë një lidhje midis tre pushteteve, ndërsa anëtarët e saj të jenë me dinjitet.
“Aty duhet të jenë njerëz me integritet, me cilësi të larta morale dhe njohuri të mëdha të sistemit gjyqësor në shtet, të cilët do ta kenë rolin jo vetëm të jenë gjykatës dhe të vendosin për përgjegjësitë e tyre, por edhe të analizojnë gjendjen në gjyqësor dhe në situata të caktuara vetë të propozojnë rrugëdalje pa u futur në pavarësinë e gjyqësorit”,- theksoi ish-gjykatësja, Mirjana Llazarovska-Trajkovska.
Punimi i dytë i Denis Preshovës i titulluar “Gjykata Kushtetuese e harruar në reforma” shqyrton gjyqin kushtetues duke u përqendruar në ndikimin pozitiv që mund ta ketë ky gjyq mbi gjyqësorin, duke marrë parasysh reformat në këtë drejtim. Prezantimin e organizoi Instituti për Demokraci “Sosietas Civilis” në Shkup në bashkëpunim me zyrën e Fondacionit “Konrad Adenauer” në Maqedoni. (Naim Ramadani, TVM2)
