Dëshmia e Selës për dhunën e 27 prillit: Sulmuesit deshën të më likuidojnë
Prapa sulmit të 27 prillit nuk qëndrojnë ca individë....

Prapa sulmit të 27 prillit nuk qëndrojnë ca individë, por kishte organizim të mirëfilltë të strukturave të shtetit të atëhershëm që në detaje kanë planifikuar gjithçka.
Kështu vlerëson lideri i Aleancës për Shqiptarët në dëshminë e tij në Gjykatë, ku theksoi se atë natë ishte planifikuar edhe likuidimi i tij. Sela në dëshminë e tij tha se sapo e kanë vërejtur sulmuesit kanë thënë “Ja Sela, tani ku do të shkosh, do të të vrasim!”. Ai tha se turma e protestuesve që pushtuan Kuvendin ishin drejtuar kah ai duke gjuajtur me gjësende të forta, si me monitorë dhe pjesë të kamerave, ndërsa e kanë rrahur edhe me shtizë të flamurit. Sela tha se para turmës kanë qëndruar deputetët, Rexhail Ismaili dhe Syria Razhidi, të cilët kanë tentuar ta mbrojnë nga sulmuesit, por në momentin kur ka mbetur vetëm kanë filluar edhe sulmet e drejtpërdrejta fizike, pas çka ai e ka humbur vetëdijen dhe ky është momenti i fundit të cilin e mban mend ai. Sela përmend edhe një gazetare e cila gjithë kohës ka incizuar aktin e rrahjes me kamerë, ndërsa para hyrjes së turmës ka thënë “nuk keni ku të ikni, tani do të shihni se çka do t’u ndodhë”. Ai sqaron se vetëdija i është kthyer në njërën nga dhomat e Kuvendit prej ku persona të maskuar si policë e kanë nxjerrë dhe dërguar në spital. Për mediat Sela sqaroi se arrin të identifikojë disa nga sulmuesit edhe në bazë të video-incizimeve të publikuara. Sela thotë se ka pasur edhe video-incizime nga momenti kur përdoret dhunë ndaj tij, por një pjesë e tyre u vodhën nga strukturat e shtetit.
“Unë nuk e besoj se Kuvendi duhet të ketë skute të errëta jashtë objektivit të kamerave të sigurisë së Kuvendit. Tani pse nuk ka dalë asnjë incizim prej momentit kur unë sulmohem, e dëshmon atë që e thashë më herët, që prapa sulmeve të 27 prillit nuk qëndrojnë ca individë që e kanë bërë sulmin, por ka organizim të mirëfilltë të strukturave të shtetit të atëhershëm që në detaje kanë planifikuar gjithçka. Ky proces gjyqësor nuk duhet të përfundojë vetëm më dënim e këtyre që quajnë doras, por duhet të gjinden edhe organizatorët dhe ata të përballen me ligjin”,- u shpreh Ziadin Sela.
Sela para trupit gjykues tha se pas asaj që ka përjetuar ka qenë në gjendje të vështirë shëndetësore dhe në rrezik për jetë, ndërsa edhe sot, pothuajse një vit pas sulmit, ai thotë se i ndjen pasojat dhe akoma përdor terapi mjekësore.
Gjykimi për sulmin ndaj Ziadin Selës do të vazhdojë gjatë ditës së nesërme me dëgjimin e ekspertëve mjekësorë. Në këtë rast për tentim për vrasje akuzohen 10 persona. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
