Kuvend, shkurti pa plenare. Të enjten pyetje deputetësh
Takimi i rregullt i koordinatorëve të grupeve parlamentare.....

Takimi i rregullt i koordinatorëve të grupeve parlamentare me kryetarin e kuvendit nuk ka rezultuar me ndonjë marrëveshje për efikasitet më të madh të organit ligjvënës.
Në koordinim nuk ka marrë pjesë koordinatori i grupit parlamentar i koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE, me arsyetimin se kthimi i tyre në punimet e Kuvendit do të ndodh pasi të lirohen nga paraburgimi deputetët e VMRO-DPMNE-së, të akuzuar për rrezikim terrorist.
Nga kabineti i kryeparlamentarit njoftojnë se, shkak për një pezullim të punimeve gjatë muajit shkurt është mungesa e kuorumit, pasi disa deputetë janë në udhëtim zyrtar, një deputete është e lënduar, ndërsa një tjetër është në pushim të lindjes.
Megjithatë, jozyrtarisht mësohet se kryeparlamentari mund të caktojë vazhdimin e seancës së 22-të për ditën e martë, ku do të shqyrtohen propozim-ligje me procedurë të shkurtuar, ndërsa për të enjten pritet të caktohet seanca e paraparë për pyetje deputetësh.
Megjithatë, nga Kabineti i kryetari të Kuvendit thonë se kalendari për aktivitetet e Kuvendit do të vendoset në ueb-faqen e Kuvendit në momentin kur do të vendoset për të.
Në ndërkohë, pritet që VMRO-DPMNE të tërheq vendimin politik për të bllokuar miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, për të cilin ka dorëzuar mbi 35 000 amendamente. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
