Maqedoni
Propozim ligji për ndjekjen e komunikimeve, ekspertët: Të ndryshohen dispozitat kontestuese
19.02.2018 16:02
Që të evitohet mundësia e keqpërdorimit të përgjimeve duhet të ndryshohen disa dispozita kontestuese....

Që të evitohet mundësia e keqpërdorimit të përgjimeve duhet të ndryshohen disa dispozita kontestuese të propozim ligjit për ndjekjen e komunikimeve dhe propozim ligjit për Agjencinë Teknike Operative, vlerësojnë ekspertët. Në debatin shkencor kushtuar praktikave të ndjekjes së komunikimeve dhe sistemit funksional të sigurisë, pjesëmarrësit theksuan nevojën për zgjidhje ligjore e cila do të garantonte liritë dhe të drejtat demokratike, por edhe sistem efikas të sigurisë.
“Edhe pse ka një numër të madh të gjërave që nuk janë thënë, shpresoj se në leximin e dytë dhe të tretë në dialog me Kuvendin, përfaqësuesit e sistemit të zbulimit dhe kundërzbulimit dhe me vullnet të qartë politik të shumicës parlamentare, sepse ata ishin viktimat e përgjimit të paligjshëm, do të miratohet zgjidhje ligjore e cila do të garantojë liritë dhe të drejtat demokratike dhe do të sigurojë sistem efektiv të sigurisë",- u shpreh prodekani i Fakultetit të Sigurisë, Marijan Gjurovski.
“Pribe ka dhënë vërejtje ku tregon se cilat janë pengesat nga ana e faktorit njeri që duhet të tërhiqen dhe fokusi i grupit punues është të mbindërtohen masa që do ndikonin në kulturën e organizimit dhe të mos ndodhin skandale si deri më tani”,- tha drejtori i Agjencisë për Kundërzbulim, Zoran Ivanov.
“Konsideroj se duhet të ketë konsensus të përgjithshëm sepse disa pjesë nga ky ligj kanë shkaktuar probleme serioze në punën e aparatit shtetëror, andaj jo vetëm ne si deputetë, por edhe opinioni publik duhet të japë vlerësime për ndryshimet e parapara”,- theksoi Trajçe Dimkov nga VMRO-DPMNE.
“Qeveria, apo MPB, ka vullnet politik dhe kapacitet demokratik që të ndryshohen disa gjëra, gjë që për mua nënkupton revolucion, sepse do të miratohen reforma për arritjen e një sistemi të sigurt të sigurisë”,- u shpreh Ilija Nikollov nga Partia e Pensionistëve të Bashkuar.
Propozim ligji për ndjekjen e komunikimeve dhe propozim ligjit për Agjencinë Teknike Operative janë në procedurë kuvendore dhe kanë kaluar leximin e parë, ndërsa gjatë shqyrtimit të fazës së dytë mund të propozohen amendamente për përmirësimin e dispozitave ligjore.
FLUTURA LATIFI
