Botë

Kurdët arrijnë marrëveshje me Qeverinë siriane, Çavushoglu: Askush nuk e ndal ushtrinë turke

19.02.2018 16:31

Luftëtarët kurdë në veriperëndim të Sirisë kanë njoftuar për një marrëveshje me Qeverinë siriane, e cila do të dërgojë trupa atje për t’iu kundërvënë ofensivës së Turqisë....

Ankaraja i konsideron luftëtarët kurdë, në Afrin, si terroristë dhe ka nisur ofensivë të madhe kundër tyre muajin e kaluar. Badran Xhia Kurd, zyrtar i lartë kurd, citohet t’i këtë deklaruar Agjencisë Reuters se ushtarët e qeverisë mund të hyjnë në Afrin brenda disa ditësh.
 
Marrëveshja është raportuar edhe nga grupi i mediave kurde Rudaw dhe nga Televizioni shtetëror sirian. Televizioni nuk bëri të ditur hollësi shtesë për sistemimin e njësiteve ushtarake, të njohura si "forca popullore".
 
Marrëveshja komplikon edhe më shumë situatën në Sirinë Veriore, ku janë të involvuara forcat kurde, Qeveria siriane, grupet e kryengritësve, Turqia, ShBA-ja dhe Rusia. Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavushoglu, deklaroi se Turqia nuk sheh asnjë problem nëse regjimi sirian hyn në rajonin e Afrinit për të pastruar rajonin nga organizata terroriste YPG/PKK, por paralajmëroi se askush nuk do të mund t'i ndalë forcat turke nëse ai hyn në këtë rajon për ta mbrojtur këtë organizatë terroriste.
 
“Kjo vlen edhe për Afrinin, edhe për Menbixhin, edhe për lindjen e Eufratit",- tha Çavushoglu.
 
Për zhvillimet e fundit në Siri, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Siç njoftojnë nga kabineti i presidentit turk, në bisedë është konfirmuar vendosmëria e vazhdimit të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe veprimeve të koordinuara.
 
SEVDIE OMEROVIQ