Maqedoni
Talevska e pranoi fajin për “Tifani”, dënohet me 2 vite burg me kusht
19.02.2018 17:02
Gazetarja, Ivona Talevska, u dënua me 2 vjet burg me kusht për “fshehje të tatimeve”...

Gazetarja, Ivona Talevska, u dënua me 2 vjet burg me kusht për “fshehje të tatimeve”, pasi që ajo paraprakisht në seancën e sotme gjyqësore e pranoi akuzën për veprën penale për të cilën akuzohet nga PPS në rastin “Tifani”.
Gjykata, duke u bazuar në sjelljen e saj korrekte gjatë seancave të kaluara edhe faktin që nuk e ka përsëritur të njëjtën vepër prej vitit 2014, vendosi që Talevska të mos vuaj dënimin me burg në rast se ajo nuk do ta bëjë këtë edhe gjatë 4 viteve të ardhshme.
Ivona Talevska do të duhet ta kthejë tërë shumën tatimore të cilën nuk e ka paguar si menaxhere e dy kompanive konsulente si dhe tatimin personal.
Ajo gjithashtu do të paguajë mbi 1.000 euro për harxhimet e ekspertizës dhe shpenzimet tjera dytësore në afat prej 30 ditësh. Nga PPS janë të kënaqur nga fajësia e pranuar nga Talevska.
“Ne jemi të kënaqur nga fajësia e pranuar e Tallevskës dhe nga gjykimi i cili e shpalli fajtore atë, sepse me këtë u tregua se akuza nuk është e pabazuar. Sa i përket sanksionit penal ose dënimit, do ta presim vendimin gjyqësor në formë të shkruar e më pas do të prononcohemi”,- u shpreh prokurorja speciale, Elizabeta Josifovska.
Paraprakisht, prokurorja e Prokurorisë Speciale, Josifovska, sqaroi se PPS posedon prova dhe dëshmi që vërtetojnë se Talevska si menaxhere e kompanisë konsulente “Smart DOOEL” dhe të “Smart grup DOOEL”, prej vitit 2008 e deri më 2014, ka paraqitur të dhëna të rrejshme në llogaritë përfundimtare me të cilën ka arritur të mos i paguaj tatimet në vlerë prej 37 mijë e 634 euro dhe 16 mijë e 942 euro për tatimin personal.
Në bankën e të akuzuarve sot u ul edhe ish-ndihmësministri i Punëve të Brendshme, Gjoko Popovski, i akuzuar në rastin “Treqind” për dëmtimin e buxhetit shtetëror në vlerë prej 453.560 euro për furnizimin joligjor të 300 veturave që i ka bërë ai për nevojat e MPB-së.
Për këtë rast u dhanë vetëm fjalët hyrëse të prokurorëve publikë, ndërsa seanca e ardhshme ku do të duhet të dëshmojnë katër persona është caktuar për më 20 mars.
Ndërkohë u shty për më 5 mars seanca gjyqësore për të akuzuarin e shtatë, Dimçe Kërstev, për rastin “Dhuna në Komunën Qendër”, i cili më parë u veçua nga procedura.
REXHEP QAMILI
