Zaev: Zgjidhja për emrin, deri në korrik

19.02.2018 17:19

Deri në Samitin e NATO-s në korrik të këtij viti do të arrihet marrëveshja për zgjidhjen e kontestit të emrit.....

Deri në Samitin e NATO-s në korrik të këtij viti do të arrihet marrëveshja për zgjidhjen e kontestit të emrit, u shpreh optimist kryeministri, Zoran Zaev.

Ai në një intervistë për radion austriake OFR ka mohuar se në këto bisedime po flitet edhe për çështjen e identitetin.

“Besoj se do të arrijmë me sukses t’i përfundojmë bisedimet deri në Samitin e NATO-s në korrik. Kemi ftesë, që do të thotë se anëtarët e NATO-s do të fillojnë me ratifikimin e qasjes tonë, pasi që ne dhe Greqia do të paralajmërojmë se kontesti është zgjidhur”,- deklaroi kryeministri Zaev.

Në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e kontestit është paralajmëruar se ministri i jashtëm grek, Nikos Kocias, deri në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit mars do të arrijë në Shkup, duke ateruar në aeroportin e riemërtuar  “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit”, nga “Aleksandri i madh”.

Kocias me vete pritet të sjellë draft-planin e Greqisë për zgjidhjen e kontestit me emrin, i cili, sipas mediave greke, përveç ndryshimit të emrit, parasheh edhe ndryshime kushtetuese.

Për ndryshime kushtetuese insiston edhe Akademia greke e Shkencave e cila me anë të një komunikate theksoi se zgjidhja e çështjes është në dobi të dy palëve, por se parakusht për të njëjtën është ndryshimi i Kushtetutës, eliminimi i kërkesave irredentiste që përfshin: librat, hartat gjeografike, përmendoret e Aleksandrit të Madh, përvetësimin e historisë, kulturës dhe simboleve greke. Ndërsa autoritetet greke tanimë kanë sqaruar se pranojnë emër të papërkthyeshëm me përcaktues gjeografik, si: Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Re ose Maqedonia - Vardar. (Gyltene Sinani, TVM2)