Maqedoni
Qeveria, marrëveshje me kompaninë gjermane "Vik"
19.02.2018 17:35
Qeveria ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë familjare gjermane "Vik" për prodhimin e aparateve elektrike për amvisëri...

Qeveria ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë familjare gjermane "Vik" për prodhimin e aparateve elektrike për amvisëri, e cila do të investojë gjashtë milionë euro në një objekt në Zonën Zhvillimore Teknologjike Industriale “Aldinci” në Prilep, ku do të hapë 60 vende të reja të punës.
"Kompania planifikon në pesë vitet e ardhshme investimin ta rrisë në 12 milionë euro me 1.000 të punësuar. Nënshkrimi i marrëveshjes e tregon përkushtimin e Qeverisë ndaj investimeve të huaja”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
"Me rëndësi kyçe për suksesin tonë do të jetë mënyra lokale e furnizimit me të gjitha nevojat për punën tonë, gjegjësisht të mbështetemi në prodhues lokalë dhe fuqi lokale të punës”,- u shpreh drejtuesi i grupacionit “Vik”, Hristof Dern.
Kompania gjermane "VIK" prodhon aparate elektrike për brendet botërore, ndërsa në objektin në Maqedoni do të prodhojë makina për kafe. Kompania ka si prioritet ruajtjen e ambientit, prandaj do përpiqet që prodhimtarinë e saj ta përqendrojë vetëm në energjinë diellore.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
