Kulturë
Në Librarinë e Çarshisë në Shkup nesër fillon festivali i stand up komedisë
19.02.2018 18:49
"Shkupi Up Fest” është titulli i festivalit të stand up komedisë, i cili organizohet për herë të parë në trevat shqiptare...

Festivali fillon të martën dhe do të vazhdojë me aktivitete dhe shfaqje tre net me radhë, në hapësirat e lokalit të Librarisë së Çarshisë.
Organizatorët e këtij festivali presin shumë nga kjo iniciativë dhe shpresojnë që ky festival do të arrijë të bëhet tradicional.
“Zyrtarisht bëjmë të ditur se që nesër fillon festivali i parë i stand up komedisë i titulluar “Shkupi up fest”. Në rend të parë falënderojmë sponsorët tanë që bënë të mundur që ky festival të realizohet, falënderojmë Ministrinë e Kulturës që na përkrahi fuqishëm në këtë rrugëtim tonin”,- u shpreh organizatori, Besfort Dulatahu.
“Do të ketë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe nga Maqedonia që do të marrin pjesë në festivalin tonë. Natën e parë kemi aktorët tanë nga Kosova, Ernest Zyberin, Kushtrim Qerimin dhe Avni Shkodrën. Natën e dytë e kemi Alion Qaqin, Burhan Amtin dhe Mentor Shukën nga Kosova dhe natën e tretë Kemi Rumill Zarën, Gent Azizin dhe Julian Dedën si mysafirin tonë. Besojmë fuqimisht që do ta vazhdojmë, ku mendojmë të bëhet festival tradicional”,- theksoi organizatori, Visar Etemi.
Gjithsej do të marrin pjesë 10 aktorë me tema shoqërore. Organizatorët shpresojnë se në të ardhmen do të kenë edhe përkrahjen e institucioneve për realizimin e evenimenteve të tilla.
FJOLLA TELAI
