Thellohet skandali, edhe dy minorene shtatzëna në Qendrën “25 maji”
20.02.2018 12:28
Skandali në Strehimoren “25 maji” duket të jetë më i madh nga sa u mendua fillimisht....

Pas zbardhjes së skandalit në qendrën përkujdesëse “25 maji”, ku një 13 vjeçare mbeti shtatzënë, të tjera informacione tronditëse po dalin në dritë.
Edhe dy minorene të tjera të strehuara në këtë institucion kanë mbetur shtatzëna.
Njëra prej tyre është 15 vjeçare, që ka mbetur shtatzënë me një tjetër moshatar të saj në qendër dhe tashmë ka abortuar.
Procedurën e ndërprerjes së shtatzënisë e ka marrë pas pajtimit edhe të kujdestarit në Qendrën për Punë Sociale, konfirmojnë nga Ministria për Punë Sociale. Për këtë rast është njoftuar edhe nëna e 15-vjeçare.
Rasti i dytë është i një 17-vjeçareje, e cila insiston të lindë foshnjën. Për momentin vajza është kthyer nën përkujdesjen e babait të saj. Nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale njoftojnë se dy vajzat nuk janë të përdhunuara.
Dje drejtori i këtij institucioni, Stevço Sokolovski, dha dorëheqje për shkaqe morale.
Policia, ndërkohë, ka ngritur padi penale ndaj një 18-vjeçari nga Velesi, nën akuzën “marrëdhënie seksuale me një person të mitur”.
Rastin me vajzën e përdhunuar 13-vjeçare e bëri publik Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve.
