Maqedoni

Zaevi të mërkurën në Bruksel, Merkeli – Ciprasi bisedë telefonike për emrin

20.02.2018 15:11

Kryeministri, Zoran Zaev, do të qëndrojë të mërkurën në Berlin ku do të takohet me kancelaren gjermane, Angela Merkel...

Kryeministri, Zoran Zaev, do të qëndrojë të mërkurën në Berlin ku do të takohet me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe me presidentin e Gjermanisë, Frank Ualter Shtajnmajer.

Zaevi do të mbajë edhe fjalim në zyrën qendrore të Fondacionit “Fridrih Ebert”. 

Një ditë para kësaj vizite, kancelarja Merkel ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin grek, Aleksis Cipras, me të cilin ka biseduar edhe për çështjen e emrit.

“Dy liderët biseduan për rrjedhën e bisedimeve rreth çështjes së emrit të IRJM-së”,- thuhet në kumtesën e shkurtë nga kabineti i kryeministrit grek.

Sipas mediave greke, kryeministri Cipras ia ka potencuar kancelares Merkel nevojën për zgjidhje përfundimtare të kontestit me ndryshim të emrit kushtetues të vendit fqinj.

Gjithnjë sipas mediave greke, Ciprasi dhe Merkeli u dakorduan të takohen të premten në Bruksel në takimin joformal të liderëve të BE-së.

Gjatë javës së ardhshme është paralajmëruar edhe vizita në Shkup e shefit të diplomacisë greke, Nikos Koxias, i cili pritet të sjellë me vete dokumentin 20 faqesh me qëndrimin e palës greke rreth emrit dhe identitetit.

Paraprakisht kryeministri Zaev ka qenë i qartë se nuk do të bisedohet për identitetin por është optimist se mund të arrihet një zgjidhje mes dy vendeve para Samitit të NATO-s në korrik.

Të dielën në Shkup, ndërkohë, do të vijë edhe njeriu i parë i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.