Marrëveshja për demarkacionin, Haradinaj: Do të ratifikohet në dy ditët në vijim

20.02.2018 15:21

Me gjithë deklaratën e përbashkët të presidentëve të Kosovës dhe të Malit të Zi rreth demarkacionit....

Me gjithë deklaratën e përbashkët të presidentëve të Kosovës dhe të Malit të Zi rreth demarkacionit, akoma nuk ka konsensus të plotë që marrëveshja të ratifikohet në Kuvend.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, paralajmëron se marrëveshja do të ratifikohet më së voni deri të enjten. Sipas tij, pas marrëveshjes mes presidentëve të Malit të Zi dhe Kosovës për demarkacionin, deputetët kanë argumente të mjaftueshme për ta ratifikuar të njëjtën.

“Fakti se marrëveshja përfshihet në ligj dhe ne e votojmë marrëveshjen e presidentëve, që parasheh rishikim dhe korrektim në drejtimin e Çakorrit dhe Kullës, dhe nuk e ndal vetëm me këtë, por i jep drejtim direkt, ku mendoj se janë argumentet për ta votuar, pra shpresoj që po”,- deklaroi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Që marrëveshja të ratifikohet, duhen 80 vota nga 120 deputetë sa ka parlamenti i Kosovës. Tash për tash, votën pro marrëveshjes e kanë deklaruar Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike, Nisma për Kosovën, Aleanca e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe disa deputetë të pakicave, që së bashku bëjnë 78 vota, mirëpo Lëvizja Vetëvendosje dhe lista Srpska akoma nuk kanë qëndrim të prerë pro ratifikimit. Njëri nga deputetët e listës Srpska, Igor Simiq, ka thënë se “për deputetët serbë me e rëndësishme është që të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, i cili është i rëndësishëm për shqiptarët, por jo për serbët”, por kryeministri Haradinaj thotë se pjesëmarrja në mbledhjen e qeverisë edhe e pjesëtarit të kësaj liste, është shenjë e mirë se ata mund të votojnë pro. Ratifikimi i marrëveshjes se demarkacionit me Malin e Zi është kriteri i fundit që Kosova duhet të plotësojë në mënyrë që Komisioni Evropian t’ia heq regjimin e vizave edhe Kosovës, si i vetmi vend në Evropë që akoma ka regjim vizash për në zonën Shengen.