Maqedoni
Komisioni për Çështje dhe Emërime, 5 anëtarët e tërhequr të KShZ-së në apanazh
20.02.2018 15:43
Pesë anëtarët e dorëhequr të Komisionit Shtetëror Zgjedhor do të përfitojnë apanazh në periudhën e ardhshme njëvjeçare....

Ky është vendimi i Komisionit për Çështje dhe Emërime në Kuvend. Apanazh përfitojnë ish-kryetari i KShZ-së, Aleksandër Çiçakovski, ish-anëtarët nga radhët e LSDM-së, Violeta Duma dhe Igor Milev, ish-anëtarja nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Silvana Boneva, dhe ish-anëtari nga radhët e BDI-së, Subhi Jakupi.
Tre anëtarët e tjerë të dorëhequr nga KShZ, Rexhep Prekopuca, Sasho Srcev dhe Atanas Urumov, nuk kanë kërkuar nga Kuvendi të përfitojnë apanazh në periudhën në vazhdim, por kanë vendosur të kthehen në vendet e mëparshme të punës.
KShZ për momentin ka vetëm një anëtar aktiv, anëtaren e zgjedhur nga Besa, Ermira Asanin. Anëtarët e tjerë dhanë dorëheqje pas publikimit në opinion të informacioneve se kanë vendosur t’i ndajnë vetes bonuse të larta si shpërblim për punën gjatë cikleve të fundit zgjedhore.
