Maqedoni

Xhaferi - Lang: 11 mln franga përkrahje për reformën në Kuvend. Osmani: përvoja e Zvicrës, në Ligjin për gjuhët

20.02.2018 16:29

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, dhe zëvendëssekretarja për punë të jashtme të Zvicrës, Kristina Marti Llang...

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, dhe zëvendëssekretarja për punë të jashtme të Zvicrës, Kristina Marti Llang, nënshkruan memorandum për mirëkuptim me të cilin vendosen bazat për projektin 10 vjeçar për zhvillim dhe reforma të Kuvendit, financuar nga Zvicra.
 
Projekt programi për përkrahjen e parlamentit ka për qëllim të sigurojë funksionim më efikas dhe gjithëpërfshirës të Kuvendit, përforcim institucional, avancim të funksionit ligjvënës dhe mbikëqyrës dhe qasje në punën e Kuvendit për qytetarët, organizatat civile, grupeve të margjinalizuara nëpërmjet transparencës dhe llogaridhënies.
 
“Sipas dinamikës së planifikuar, faza përgatitore e projektit do të jetë prej më 1 korrik 2018 deri më 30 prill 2019 dhe përfshin donacion prej 350 mijë franga zvicerane dhe në vijim më së shumti 11 vjet e gjysmë, donacioni i përgjithshëm për Kuvendin do të ishte 11 milionë franga zvicerane. Projektin e përgjithshëm do të përcjellë Këshilli Drejtues dhe këshilli Këshillëdhënës”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
“Projekti i ri është paraparë të fillojë në pjesën e parë të vitit 2019 dhe me kohëzgjatje prej 10 vitesh me përkrahje financiare prej 11 milion frang ose 9.5 milion euro. Kjo përkrahje pason pas investimit prej 8.6 milion eurove për themelimin e zyrave për kontakt me qytetarët dhe Institutin Parlamentar, duke rritur vlerën e përbashkët të mjeteve të dhëna nga Zvicra në 18.1 milionë euro”,- theksoi zëvendëssekretarja për punë të jashtme të Zvicrës, Kristina Marti Llang.  
 
Llang është takuar edhe me zëvendëskryeministrin, Bujar Osmani. Krahas mbështetjes, sipas tij, Zvicra paraqet edhe inspirim të rëndësishëm politik dhe shoqëror për Republikën e Maqedonisë si shembull pozitiv në funksionimin e shoqërisë multikulturore, madje duke shtuar se përvojat e Zvicrës në organizimin dhe zbatimin në praktikë të shoqërisë shumëgjuhësore do të jenë ndihmesë e rëndësishme për implementim më efikas edhe të Ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, u potencua në këtë takim.
 
FLUTURA LATIFI