Sulmi ndaj Ziadin Selës, ekspertiza: Lëndimet mund të ishin vdekjeprurëse

20.02.2018 16:42

Lëndimet e rënda trupore që ka marrë deputeti, Ziadin Sela

Lëndimet e rënda trupore që ka marrë deputeti, Ziadin Sela, në ngjarjet e Kuvendit më 27 prill të vitit të kaluar kanë qenë me rrezik për jetën.

Kështu vlerësoi eksperti gjyqësor nga Instituti për mjekësi ligjore në vazhdimin e gjykimit të dhjetë të akuzuarve për tentim për vrasje ndaj kreut të ASh-së.

Sipas ekspertit, rreziku për jetë ka buruar nga dëmtimi i indit të trurit dhe lëndimet e shkaktuara tregojnë që koka e Selës ka qenë e fiksuar kur e ka marrë lëndimin, gjegjësisht ka qenë i shtrirë në tokë ose koka ka qenë e mbështetur në mur, në të kundërtën do të kishte dëmtime të indit të trurit edhe në pjesën e pasme të kokës. Ekspertiza tregon se përderisa Ziadin Sela është nën ndikim të terapisë, nuk mund të dihet se çfarë pasoja mund të ketë nga lëndimet, ndërsa nëse e ndërpret terapinë nuk përjashtohet mundësia të ketë sulme epileptike.

Në mesin e lëndimeve ka pasur edhe thyerje të eshtrave të hundës, shtypje të fytyrës dhe ënjtje të qepallave të syve. Avokati mbrojtës, Donço Nakov, konteston ekspertizën. Sipas tij, ekspertët, Zdravko Çakar dhe Verica Popovska, nuk kanë pasur licenca për ekspertë në kohën kur është kryer ekspertiza në qershor të viti të kaluar.

Ai nga trupi gjykues kërkoi që të bëhet ndarja e kësaj ekspertize nga materiali i dëshmive duke shtuar se nuk do të bëjë pyetje një eksperti të palicencuar. Gjatë ditës së djeshme, Sela për herë të parë pas ngjarjeve të Kuvendit u përball me të akuzuarit ku tha se mundi të identifikojë disa prej tyre.

Gjatë dëshmisë, Ziadin Sela konfirmoi se ka marrë lëndime të rënda trupore të cilat kanë mundur të jenë vdekjeprurëse, ndërsa theksoi se akoma pothuajse dhe një vit pas ngjarjeve të Kuvendit ai vazhdon me terapinë mjekësore.

Si dëmshpërblim për lëndimet dhe gjendjen e Ziadin Selës, pala mbrojtëse kërkon 30 milion denarë. Në rastin për tentim për vrasje të deputetit dhe liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selës,  akuzohen 10 persona. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)