Botë
Marrëveshja e detit, Meta: vendimi i kushtetueses, vija e kuqe
20.02.2018 17:04
Negociatat mes Greqisë dhe Shqipërisë për çështjen e detit duket se do ta kenë rrugën të gjatë....

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i ka kërkuar presidentit, Ilir Metës, dhënien e autorizimit për këto negociata, por presidenti, pasi është konsultuar me paraardhësit e tij, ka refuzuar ta japë këtë autorizim.
Në përgjigjen e Metës për ministrin e jashtëm argumentohet se kërkesa e paraqitur do të duhej të shoqërohej me përcaktimin e qartë dhe me terma konkretë për kufijtë detarë që duhet të ndryshojnë.
“Duhet të theksoj mbështetjen dhe angazhimin tim për një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare për këtë çështje. Duhet të ketë një angazhim të plotë nga të gjithë. Me këtë rast, dua të nënvizoj se sjellja dhe kontributi i presidentit ndaj kësaj çështje do të jetë i bazuar vetëm në Kushtetutën e Shqipërisë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të prillit 2010, është vija e kuqe”,- deklaroi presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Pas kësaj përgjigje negative për autorizim ka reaguar Ministria e Jashtme.
“Çështjeve të ngritura nga presidenti i Republikës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do t’u përgjigjet në rrugë institucionale. Sikundër ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme është i angazhuar për të vijuar bisedimet e konsultimet e nisura me presidentin e Republikës për të gjitha çështjet me interes për këtë proces”,- thuhet në reagim.
LULJETA NDOKA
