Maqedoni
Gjykata e Apelit, Prokuroria: vazhdon paraburgimi për Çavkovin
20.02.2018 17:41
Ish-drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, do të mbetet edhe më tej në paraburgim...

Ish-drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, do të mbetet edhe më tej në paraburgim, për shkak se procedura për zbardhjen e plotë të ngjarjeve të përgjakshme të 27 prillit është e hapur dhe në zhvillim e sipër, prandaj nuk mund të jepet asnjë konkluzë për të akuzuarin, derisa të zbardhet e vërteta në tërësi nga të gjitha palët, kështu kërkoi prokuroria në seancën e sotme publike.
Por, avokati i Çavkovit tha se ankesa për ndërprerjen e paraburgimit është dorëzuar në 30 janar, ndërsa për seancë publike presin tanimë 20 ditë.
Çavkovi nga seanca publike e Gjykatës së Apelit tha se rezultatet e prokurorisë janë përtej mendjes së shëndoshë.
Ai tha se trazirat dhe sulmi ndaj deputetëve janë zgjidhur falë urdhërimeve të tij. Sipas Çavkovit, nëse nuk do të kishte reaguar ai, situata do të mund të dilte jashtë kontrolli.
Çavkovi jo vetëm që ndjehet i pafajshëm, por ai pretendon se ka shpëtuar jetën e deputetëve në Kuvend. Gjithashtu rreth akuzave të lëshuara pyeti: si është e mundur që tek një i akuzuar për terrorizëm të mos gjenden bomba dhe armë?
Prokuroria në seancën paraprake vlerësoi se masa e paraburgimit për Çavkovin duhet të vazhdojë pasi që ai mund të ndikojë mbi dëshmitarët dhe personat e tjerë.
Ndryshe, Çavkovi është arrestuar para tre muajve dhe mbi të ngrihen akuza për nxitjen e konfliktit në ngjarjet e 27 prillit.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
