Efikasiteti në Kuvend, Grubi: Opozita të mbështet reformat me vepra
Shumica parlamentare dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën për mosefikasitetin e Kuvendit....

Shumica parlamentare dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën për mosefikasitetin e Kuvendit dhe ngecjen në miratimin e ligjeve reformuese. Sipas BDI-së, opozita vetëm me deklarime mbështet reformat, por jo edhe me vepra. Në një situatë kur shumica është e brishtë, opozita që deklarohet pro reformave duhet të jetë më bashkëpunuese dhe të ndihmojë në krijimin e kuorumit dhe në miratimin e ligjeve.
“Deklaratat që i përkrahin reformat duhet të mbështeten edhe nga veprat nëpërmjet votimit të reformave, qoftë në komisione , qoftë në seanca plenare. Shpresojmë që qytetarët do të shohin dhe do kërkojnë nga përfaqësuesit e tyre në parlamente që të bëhen tok me reformuesit dhe t’i bashkëngjiten agjendës euroatlantike”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
ZENDELI: JEMI ATY KUR DUHET KUORUM PËR REFORMA
Mirëpo opozita shqiptare hedh poshtë pretendimet e Grubit. Sipas tyre, opozita është aty kur janë në pyetje reformat.
“Ju e shihni se shumica në shumë raste nuk ka kuorum. Ne edhe si grup parlamentar por edhe si përfaqësues, si deputetë, shpesh kemi qenë pjesëmarrës në komisione dhe kemi krijuar kuorum dhe e kemi bërë këtë kuorum jo për dëshira apo qejfet e ndonjë subjekti politik apo individëve të caktuar, por kemi vlerësuar se duhet të japim kontributin tonë në pikat të cilat kanë të bëjnë me aspektet reformuese të vendit”,- tha deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli.
RUSHITI: ASH ASNJËHERË NUK I KA BLLOKUAR REFORMAT
“ASh asnjëherë nuk i ka bllokuar proceset reformuese. T’u rikujtojmë edhe një herë se që në fillim të formimit të shumicës parlamentare arsyeja kryesore pse Aleanca ishte pjesë e asaj shumice ishte sepse besonte thellë në nocionin e fjalës reformë, kurse BDI u bë pjesë e asaj shumice për t’u mbrojtur nga pasojat e reformës”,- tha deputeti i ASh-së, Surija Rushiti.
MILLOSOVSKI: BLLOKUAM LIGJIN PËR GJUHËT, JO REFORMAT
VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimet për mospjesëmarrje në punimet e Kuvendit. Sipas tyre, bllokimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk i bllokon ligjet reformuese.
“Opozita i tregoi arsyet pse nuk merr pjesë në punën e Kuvendit, pasi shumica parlamentare nuk krijon kushte për punë ligjore sipas rregullores, respektimit të së drejtës dhe respektimin e mendimit të tjetrit. Nëse shumica parlamentare ka vullnet që t’u jep përparësi ligjeve sistemore reformuese që miratohen me dy të tretat, ato do t’i vinin në fillim për debat dhe miratim dhe më pas ligjin, sipas nesh, jokushtetues dhe amendamentet për Ligjin për dygjuhësi”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Pas ca javë pezullim të aktiviteteve për shkak të mungesës së kourumit, Kuvendi vazhdoi seancën e 24 ku miratoi Ligjin për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor me procedurë të shkurtuar dhe filloi seancën e 34, ku ndër të tjera parashihet miratimi i shtatë ligjeve me procedurë të shkurtuar, si: ndryshime në Kodin Zgjedhor, ndryshime në Ligjin për ndërtim, në atë për të punësuarit në sektorin publik, për DAP-in, për procedurë tatimore etj.
Po sot, Komisionit Kuvendor për Zgjedhje dhe Emërime pranoi kërkesën e ish-kryetarit dhe katër anëtarëve të KShZ-së për apanazh. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
