Maqedoni

Ivanovi në Turqi: Turqia mbështet Maqedoninë për integrim në NATO

20.02.2018 18:13

Me nderime të lartë shtetërore, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, është pritur sot në Ankara nga kreu shtetëror i Turqisë...

Në takim me homologun e tij, Rexhep Taip Erdoganin, në fokus të  bisedimeve kanë qenë situatat politike të Maqedonisë dhe Turqisë. 
 
Ivanovi ka shprehur falënderim ndaj Turqisë për përkrahjen e saj rreth anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe ka shprehur pritjet e vendit të tij nga Turqia mike për përkrahje të mëtutjeshme për integrim në paktin veriatlantik, sidomos në Samitin e NATO-s në qershor.
 
“Ftesa për anëtarësim të Maqedonisë në NATO do të jetë inkurajim shtesë për procesin e reformave në vend, ndërkaq do të kontribuojë edhe në stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në rajon”,- thuhet në komunikatën e lëshuar nga kabinetit i presidentit Ivanov.  Paraprakisht, presidenti Ivanov është takuar edhe me kryeministrin turk, Binali Jëlldërëm, dhe me kryetarin e parlamentit turk, Ismail Kahramanin.
 
Në takim me zyrtarët e Turqisë gjithashtu janë shkëmbyer mendime për marrëdhëniet bilaterale, për situatat politike të të dyja vendeve dhe për situatën e përgjithshme në rajon, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik në drejtim të investimit të kompanive turke në Maqedoni.
 
Nuk është anashkaluar edhe shtimi i bashkëpunimit në shërbimet e sigurisë, respektivisht gjetjen e metodave të dy shteteve në preventivën dhe luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU