Botë

Koreja Veriore anulon takimin e planifikuar me nënpresidentin amerikan, Pence

21.02.2018 12:16

Zyrtarët amerikanë kanë njoftuar se veri-koreanët kanë anuluar në minutën e fundit takimin e planifikuar në Korenë Jugore...

Zyrtarët amerikanë kanë njoftuar se veri-koreanët kanë anuluar në minutën e fundit takimin e planifikuar në Korenë Jugore, në mes të nënpresidentit amerikan, Mike Pence, dhe zyrtarëve të Koresë Veriore, duke përfshirë edhe motrën e liderit, Kim Jong Un.

Pence ka udhëhequr delegacionin amerikan në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pjongçang. Gjatë kësaj kohe ka pasur spekulime se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Veriore mund të shfrytëzojnë këtë rast për të biseduar. Koreja Veriore ka dërguar disa atletë për të garuar në këto lojëra, së bashku me një delegacion të udhëhequr nga motra e liderit veri-korean, Kim Jong Un.

Shefi i stafit të Pences, Nick Ayers, ka thënë se pas deklaratave të nënpresidentit amerikan se kundërshtohet ashpër abuzimi me të drejta të njeriut apo për diskutimet e rritjes së sanksioneve ekonomike, “ata kanë hequr dorë nga takimi, ose nuk kanë qenë asnjëherë të sinqertë për ta realizuar atë”. Koreja Veriore nuk e ka komentuar anulimin e këtij takimi.