Skandali në strehimoren “25 maji”, MPPS: Ka shkelje, do të ketë padi për përgjegjësit
Një inspektim i jashtëzakonshëm i Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale në Strehimoren “25 maji” në Shkup....

Një inspektim i jashtëzakonshëm i Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale në Strehimoren “25 maji” në Shkup ka konstatuar shkelje të ligjeve për mbrojtje sociale të familjes në lidhje me procedurën për vendosjen e personave nën kujdestari, pra për akomodimin e një fëmije në një institucion dhe akomodimin e një fëmije pa kujdes prindëror në familje kujdestare.
Ministria po përgatit padi kundërvajtëse dhe penale për personat përgjegjës dhe profesionistë, ndërsa të gjitha njohurit ë dhe dëshmitë për këtë rast dorëzohen në Prokurorinë Publike Themelore. Inspektimi i jashtëzakonshëm u krye pas skandalit të 13 vjeçares shtatzënë të akomoduar në këtë institucion, e cila akuzoi për përdhunim të vazhdueshëm, e që u ndoq më pas nga një tjetër skandal i dy minoreneve të tjera shtatzëna, por që marrëdhëniet i kanë kryer me konsensus. Inspektimi konstatoi se në periudhën derisa R. I. ka qenë e akomoduar në një familje kujdestare, kujdestarët janë ndërruar shpesh dhe kanë munguar elemente kyçe nga funksioni i kujdestarisë. Qendra disa herë ka dhënë pëlqim për takimin dhe qëndrimin e minorenes R. I. tek prindërit e saj, edhe përkundër faktit që atyre u është marrë ushtrimi i të drejtës prindërore ndaj tre fëmijëve minorenë për shkak të keqpërdorimit të vazhduar dhe lënies pas dore të detyrës prindërore. Është dokumentuar, siç theksohet, se gjatë qëndrimit te prindërit, 13 vjeçarja sërish është dhunuar dhe detyruar të lypë.
Krahas evidentimit të përgjegjësisë në Qendrën për Punë Sociale, MPPS paralelisht e heton edhe punën e Entit për Kujdesin e Fëmijëve me Probleme Edukativo-Sociale dhe Sjelljen Shqetësuese, ku në vijim është ekspertiza inspektuese.(Gyltene Sinani, TVM2)
