Programi vjetor për kulturë, ASh: Ndarje skandaloze, të shpallet i pavlefshëm
Aleanca për shqiptarët kërkon që programi vjetor i Ministrisë së Kulturës të shpallet i pavlefshëm...

Aleanca për shqiptarët kërkon që programi vjetor i Ministrisë së Kulturës të shpallet i pavlefshëm. Departamenti për kulturë pranë ASh-së akuzon se ndarja e buxhetit në këtë program është skandaloze, pasi mjetet u janë ndarë shoqatave të afërta me pushtetin. Nga ASh kërkojnë që edhe anëtarët e komisioneve të zgjidhen nga shoqëria civile, të mos jenë të ngjyrosur politikisht dhe të mendohet për cilësinë dhe jo vetëm për sasinë e projekteve.
“Edhe këtë vit mjetet e taksapaguesve shqiptarë kanë shkuar te shoqatat politikisht të pranueshme për partitë në pushtet. Gjithashtu, vërehet se komisionet e krijuara as për së afërmi nuk e kanë kryer punën e tyre dhe këtë e kanë nxjerrë edhe gazetarët me hulumtimet e tyre. Gazetarët nxorën në pah nepotizmin, shoqatat e krijuara brenda natës pa asnjë projekt të realizuar paraprakisht, të cilat kanë marrë buxhet sikur të kenë një portofol të majmë, ndërkaq nga ana tjetër shoqatat që janë dëshmuar me projekte kanë marrë shuma qesharake”,- deklaroi Elmir Sejfullai nga Aleanca për Shqiptarët.
