Ekonomi
Ligji për mbështetje të investimeve, OEMVP: Vonesa, problem për subvencionet
21.02.2018 15:44
Edhe pse e ka vlerësuar pozitivisht qasjen transparente të Qeverisë në lidhje me Ligjin për mbështetje të investimeve...

Edhe pse e ka vlerësuar pozitivisht qasjen transparente të Qeverisë në lidhje me Ligjin për mbështetje të investimeve, OEMVP e cilëson propozim ligjin të vonuar, e si i tillë padyshim që do të ketë ndikim në vonesën edhe në subvencionimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme.
“Në bazë të kësaj dinamike, sjellja e ligjit në Kuvend do të shtyjë mundësinë e shfrytëzimit të këtyre mjeteve nga ana e bizneseve që targetohen me shtyllën e tretë, përkatësisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”,- tha drejtori ekzekutiv në OEMVP, Drilon Iseni.
Sipas tyre, me këtë ligj është anashkaluar zhvillimi i barabartë rajonal dhe mbrojtja e konkurrencës, andaj OEMVP del me këto rekomandime për qeverinë.
“Të përfshijë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në tekstin e ligjit e jo të sillet akt nënligjor, në kuadër të ligjit të zgjerohet lista me sektorët tjerë që kanë potencial të madh për ekonominë vendore; Të punohet në mënyrë paralele edhe në sjelljen e rregulloreve të nevojshme për zbatim të ligjit; Të koordinohen më mirë me organet tjera kompetente për ndihmën shtetërore dhe të eliminohet kolizioni potencial me ligjet tjera, të parashihen masa të veçanta për kompanitë që vijnë nga viset rurale, të parashihen mundësi të ndihmës për ekipim apo trajnim të kuadrove profesionalë për implementim të projekteve investuese nga investitorët potencialë, të parashihen dispozita për eliminim të faktorit njeri në procedurën e dhënies së ndihmës financiare”,- tha drejtori ekzekutiv në OEMVP, Drilon Iseni.
Këto rekomandime do të dërgohen në Qeveri në mënyrë zyrtare dhe do të vendosen në sistemin elektronik për rregullativë ENER.
BELINDA KOKA-ADEMI
