Maqedoni

Rasti “Tenderët”, mbrojtja konteston ekspertizën

21.02.2018 16:05

Në Gjykatën Penale ka filluar gjykimi për rastin e PPS-së “Tenderët”, në të cilin ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kamçevska Milevska...

Në Gjykatën Penale ka filluar gjykimi për rastin e PPS-së “Tenderët”, në të cilin ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kamçevska Milevska, akuzohet për keqpërdorim të tenderit për kryerjen e punëve ndërtimore në Muzeun e VMRO-DPMNE-së, që është pjesë e projektit Shkupi 2014.
 
Mbrojtja e angazhuar në këtë rast ka ofruar parashtresa lidhur me kompetencat e PPS-së dhe ekspertizën e dëshmive të cilën e vlerësuan si joobjektive. Sipas tyre, ekspertiza është kryer nga një kompani e huaj e cila nuk mund të kryejë ekspertizë.
 
Ata kontestuan edhe licencën e nënshkruesit të ekspertizës, e cila ka pasur afat deri në prill të vitit të kaluar, ndërsa ekspertiza është realizuar në maj. Mbrojtja kërkon ndarjen e ekspertizës nga materiali dëshmues.
 
“Këshilli për vlerësimin e aktakuzës edhe pse i kishte këto të dhëna, se bëhet fjalë për person të huaj që nuk guxon aspak të bëjë ekspertizë dhe për licencat e skaduara, nuk ka asnjë fjalë se atë e pranon ose jo. Është vetëm një thënie paushall se gjithçka do të vendoset në shqyrtim kryesor”,- theksoi avokati mbrojtës, Elenko Millanov.
 
“Hetimi juaj ka mbaruar, dhe mos kërkoni plotësim të ekspertizës pas një muaji pasi t’i keni njoftoni të akuzuarit se ka mbaruar hetimi”,-  u shpreh avokati mbrojtës, Sasho Dukovski.
 
Avokatja, Sonja Aleksiç, tha se përmes ekspertëve do të vërtetohet nëse materialet e përgjuara janë të montuara dhe nëse janë të plota apo të ndërprera.
 
Sipas PPS-së, në kohën kur është kërkuar ekspertiza, ekspertët kanë pasur licenca. Seanca është anuluar për më 13 mars, kur trupi gjyqësor do të duhet të prononcohet për parashtresat e mbrojtjes.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI