Maqedoni
“Eco Guerilla” dhe “Nëna dhe fëmija”: “Jugohromi” ka bërë ekocid ndaj tetovarëve
21.02.2018 16:16
“Jugohromi” do t’ua paguajë shtrenjtë helmimin tetovarëve....

Numri i fëmijëve të sëmurë ishte dyfish më i lartë në kohën kurrë “Jugohromi” punonte, janë shprehur nga Organizata ekologjike “Eko Guerilla” dhe “Nëna dhe fëmija”. Sipas tyre, “Jugohromi” duhet të përgjigjet për ekocidin që ua ka shkaktuar banorëve të Tetovës, pasi koha dëshmon se ai në ndotjen e ajrit në Tetovë nuk merr pjesë me 40%, por me 60%.
“Ndotja e ambientit ndikon në shëndetin e banorëve, mirëpo si grupmoshë më e ndikuar është mosha 0 deri në 6 vjeç. Sëmundjet direkte që janë të ndikuara nga ndotja e ambientit janë sëmundjet e organeve të frymëmarrjes apo sëmundjet respiratore. Në vitin 2015 kur ka punuar “Jugohromi”, nga sëmundjet respiratore në spital janë paraqitur rreth 31444 fëmijë, kurse në vitin 2017 kur “Jugohromi” aspak nuk ka punuar, ky numër ka ra në 18 578”,- deklaroi Elmedina Abdullahi nga Shoqata “Nëna dhe Fëmija”.
Nga “Eko Guerilla” janë shprehur se të gjithë ata të cilët kanë lejuar të ndodhë ky ekocid, qytetarëve të Tetovës do të përgjigjen para ligjit.
“Do të japim ndihmën juridike për qytetarët, shëndeti i të cilëve është dëmtuar nga ekocidi i shkaktuar nga ky kombinat. Po ashtu do të bëjmë kallëzim penal në prokurori për ata që kanë lejuar dhe shkaktuar këtë vrasje të ngadaltë të qytetarëve të Tetovës dhe më gjerë. Besojmë që Prokuroria dhe gjykatat janë në një fazë tjetër tani dhe do të respektojnë Kushtetutën, për dallim nga e kaluara kur ishin të kapura politikat dhe palët e tjera”,- u shpreh Arianit Xhaferi nga “Eco Guerilla”.
Qyteti i Tetovës, këtë vit është renditur si qyteti i 7-të më i ndotur në Maqedoni, ndërkohë vite më parë Tetova ishte qytet më i ndotur në Evropë. Nga “Eko Guerilla” thonë se vitin që lamë pas Tetova ka qenë 134 ditë me ajër të ndotura.
VISAR SADIKI
