Maqedoni

Dy kongreset e Lëvizjes BESA, analistët: pushtetit i duhet një opozitë e fortë

21.02.2018 16:52

Shqiptarëve u nevojitet opozitë e fuqishme. Mendimin opozitar po e proklamojnë mediat dhe jo partitë politike opozitare...

Shqiptarëve u nevojitet opozitë e fuqishme. Mendimin opozitar po e proklamojnë mediat dhe jo partitë politike opozitare të cilat duhet të jenë të unifikuara në luftën kundër pozitës, vlerësuan analistët në “Argument” në TVM2.
 
Aktualisht kemi një opozitë të papjekur e cila nuk di të udhëheq me politikat madhore në shërbim të kombit të vet, vlerëson politologu, Xhenis Sulejmani, duke komentuar dy fraksionet e Lëvizjes Besa. 
 
“Një opozitë pa qëndrim të unifikuar, të përçarë, një opozitë e cila merret me bajraktarizëm, mendoj se nuk do të jetë e denjë për të përmirësuar dhe për të ndryshuar, por edhe për të përmirësuar pozitën”,- tha politologu, Xhenis Sulejmani.
 
Gjithsesi, analistët presin vendimin e gjykatës pas 24 shkurtit se cili krah i Besës do të ketë legjitimitetin pas dy kongreseve. Në pyetjen se a do t’i ndihmojë PDSh krahut të Afrim Gashit dhe a do vazhdojë krahu tjetër i Besës bashkëpunimin me partinë e Ziadinë Selës, analistët dhanë përgjigje se në çfarëdolloj kombinimi, fakt është se sërish opozita mbetet e përçarë.
 
“Ndoshta në të ardhmen mund të kemi ndonjë ndryshim të strukturës për t’i fuqizuar ata, sepse Gashit i nevojitet Tetova dhe Gostivari, sigurisht që PDSh mund t’i ndihmojë shumë krahut të  Shkupit, po do të shohim në të ardhmen se si PDSh-ja do të manovrojë në këtë konfigurim ndërpartiak. Tani preferencat mund të jenë të ndryshme, prandaj duhet parë se si pas 24 shkurtit do të lëvizin punët”,- theksoi analisti i çështjeve politike, Selim Ibrahimi.
 
“Ideologu edhe para zgjedhjeve lokale dha sinjale se BESA e reformuar do të shkojë drejt bashkëpunimit me partinë e Thaçit, BESA tjetër e Bilall Kasamit do të vazhdojë bashkëpunimin me partinë e z. Sela dhe përsëri opozita ngelet e përçarë”,- tha opinionisti, Artin Spahiu.
 
Analistët vlerësojnë se në mungesë të frymës opozitare duhet të krijohet Qeveri nën hije ku sektorët e udhëhequr nga pala maqedonase duhet të kenë ministër nën hije nga partitë politike shqiptare, në mënyrë që të krijohet kriticizëm dhe politikanët të jenë të kujdesshëm për veprimtarinë që ushtrojnë.
 
FLUTURA LATIFI