Maqedoni
Hekurudha Kërçovë – Lin, Asani: prioriteti ynë, po definojmë pikën lidhëse. Hekurudha drejt Bullgarisë, Sugarevski: 60 mln euro janë siguruar nga BE
21.02.2018 17:18
Korridori 8 dhe lidhja hekurudhore me Shqipërinë është prioritet i qeverisë, theksoi drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë, Irfan Asani...

Sipas tij, ky projekt mund të fillojë që të ndërtohet menjëherë pasi që gjithçka është projektuar që nga Kërçova e deri në kufirin shqiptar, ndërsa ka ngelur të bisedohet vetëm për definimin e pikave të lidhjes së dy hekurudhave. Kjo lidhje hekurudhore u mundëson dy vendeve benefite ekonomike duke paraqitur alternativë për transportin e mallrave.
“Ne kemi arritur që të përfundojmë me sukses një projekt gjigant. Projekti detar që është në gjendje që sot të fillojnë procedurat e ndërtimit të pjesës së mbetur të hekurudhës…Korridori 8 nënkupton lidhjen e Detit Adriatik me Detin e Zi me portin e Durrësit, apo në anën tjetër dhe kjo nënkupton alternativë transportuese në shkallë të parë dhe çështjet tjera do të determinohen se ku do të zhvillohet biznesi apo transporti i mallrave, por para treguesit të studimeve paraprake dhe fizibilitetet e tjera tregojnë një transport alternativ që do të jetë konkurrent sa i përket çmimeve”,- theksoi drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë, Irfan Asani.
Në ndërkohë ka përfunduar dhe dokumentacioni i projektit dhe tenderit për ndërtimin e hekurudhës nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë me një gjatësi prej 23.4 kilometra dhe do të kalojë vlerën e 350 milionë eurove.
“Ministria e Transportit dhe Lidhjeve tashmë ka siguruar 60 milionë euro mjete të pakthyeshme nga Bashkimi Europian nga programi operativ 2017-2020. Sa i përket pjesës tjetër të mjeteve, do të sigurohen nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare”,- tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.
Në linjën e re hekurudhore do të ndërtohen 23 tunele, do të ketë dy stacione, një para Kriva Pallankës dhe një në fshatin Zhidillovë.
GAZMEND REXHEPI
