Maqedoni

Në Gostivar, mungojnë kuadro të zejeve

16.07.2014 16:18

Analiza e shkathtësive të të rinjve që duan të punësohen, format se si punëdhënësit t’i angazhojnë...

Analiza e shkathtësive të të rinjve që duan të punësohen, format se si punëdhënësit t’i angazhojnë, sistemi formal i arsimit të mesëm dhe të lartë, a plotësohen nevojat e tregut të punës së Gostivarit dhe shumë çështje që lidhen me tregut e punës për rajonin e Gostivarit, u prezantuan sot në Sallën e Këshillit të Komunës, me ç’rast merrnin pjesë përfaqësues të Këshillit Lokal Ekonomiko-social, të cilët e kanë përpiluar këtë analizë.
 
Analiza është mbështetur nga USAID, ndërsa është realizuar nga “ESA Tetovë” gjatë muajit maj dhe qershor.
 
Nebi Jusufi nga Agjencia për Përkrahje të Ndërmarrjes “ESA” në Tetovë, tha se kjo analizë do të jetë një bazë për përgatitjen e planit aksional për punësimin e të rinjve në Komunën e Gostivarit.
 
I kënaqur me këtë analizë është shprehur edhe Nasir Musliu, kryetar i Këshillit të Komunës së Gostivarit, i cili foli për rolin që ka Këshilli Lokal Ekonomiko-social si funksion konsultativ, këshillëdhënës dhe i cili shqyrton çështje, mendime, propozime dhe rekomandime deri te Këshilli i Komunës dhe organet tjera, për çështje të caktuara nga sfera ekonomike dhe sociale, posaçërisht çështjen e punësimit të të rinjve dhe përforcimin e lidhjeve esenciale në mes të nevojave të tregut të punës, të definuara nga subjekte të afaristëve dhe shkathtësive, të cilët zhvillohen te të rinjtë nëpërmjet sistemit arsimor.
 
Hapi i radhës është përgatitja e planit aksional për punësim katërvjeçar të të rinjve.
 
Plani pritet të jetë gati për dy muaj dhe nga ky plan, Komuna e Gostivarit do të mund të zgjedh programe dhe projekte të cilat disa do implementohen vetë, disa do të implementohen me nivelin qendror dhe disa me donator të jashtëm.
 
LULZIM HAZIRI