Zhvillimi i barabartë rajonal, Fazliu: Ka dallime, po punojmë t’i korrigjojmë

21.02.2018 17:37

10 vjet pas miratimit të Ligjit për zhvillim të barabartë rajonal, për herë të parë Ministria e Vetëqeverisjes Lokale po analizon efektet në praktikë...

Sipas ministrit, Suhejl Fazliut, dallimi mes Shkupit dhe qyteteve të tjera është shumë i madh, prandaj duhen shqyrtuar dhe analizuar dobësitë në mungesën e implementimit të standardeve të njëjta për të gjitha rajonet. Një segment i veçantë është padyshim edhe analiza e ndryshimeve të mëdha zhvillimore mes komunave shqiptare dhe atyre maqedonase. Sipas Fazliut, dallimet politike në të kaluarën kanë ndikuar edhe në pabarazinë ekonomike dhe kjo gjendje duhet ndryshuar.

“Ne planifikojmë që brenda këtij viti të hapat edhe analiza dhe formimi i një strategjie të re për zhvillimin e barabartë rajonal, e cila do të jetë strategjia për vitin 2020–2029. Mendoj që na duhet ndihma e ekspertëve, ndihma e organizatave joqeveritare dhe ndihma e të gjithë njerëzve të cilët kanë njohuri dhe kanë ide sesi mund të vijë në ndryshimin e kësaj gjendje”,- deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Suhejl Fazliu.

LUIZA VINTON: SHFRYTËZONI MJETET, KUJDES MES NEVOJAVE DHE PLANIFIKIMIT

Koordinatorja e UNDP-së, Luisa Vinton, thotë se mjetet e parapara për realizimin e projekteve për zhvillim të barabartë rajonal nuk shfrytëzohen sa duhet. Sipas saj, duhet analizë e kujdesshme e asaj për të cilën kanë vërtetë nevojë qytetarët dhe e investimeve që planifikon qeveria.

“Edhe pse është paraparë që të harxhohet një 1% nga BVP për çdo vit nga mjetet për zhvillimin e barabartë rajonal, ne në vitin më të mirë, atë 2016, kemi harxhuar vetëm 0.04% nga BVP dhe ka një dallim prej nevojave dhe asaj se çka harxhohet në realitet. Duhet të kemi një planifikim më të mirë dhe llogaritje më të mirë të shpenzimeve dhe koordinim më të mirë që investimet kapitale të cilat bëhen të ndihmojnë në tejkalimin e dispariteteve dhe mundësi të njëjta për të gjithë”,- u shpreh koordinatorja e OKB-së dhe UNDP-së, Luis Vinton. 

Në forum gjithashtu u cek se nevojitet përkushtim për të punuar në realizimin e projekteve të mëdha, të krijohen kushte të njëjta për të gjithë qytetarët, të kenë qasje në shërbimet  publike, të gjithë fëmijët të mësojnë në shkolla adekuate dhe të kenë qasje në rrjetin e kanalizimit, ujë të pijshëm dhe infrastrukturë rrugore. (Gazmend Kurtishi, TVM2)